Vata: Disa kosovarë do të ikin nga kombëtarja

  • 30 July 2016 - 10:15
 Vata: Disa kosovarë do të ikin nga kombëtarja

Ish- kapiteni kuqezi vlerëson situatën të Shqipëria

“Nuk e shikoj të shëndetshme për futbollin shqiptar këtë situatë, kur disa prej lojtarësh kosovarë që janë pjesë e Kombëtares sonë do të largohen  Nuk mendoj se do të jetë vetëm një lojtar. Këtu futen të pakënaqurit, por ka edhe nga ata futbollistë që bëjnë llogari të veta”, ka thënë Rudi Vata

Në shtator Kosova e Shqipëria i nisin eliminatoret dhe mbetet të shihet si do të duken

Në vazhdën e rrëfimin për futbollin shqiptar, Rudi Vata është ndalur të Kombëtarja e Shqipërisë, ku ka dhënë alarmin se nga ajo mund të largohen disa lojtarë kosovarë. “Nuk e shikoj të shëndetshme për futbollin shqiptar këtë situatë, kur disa prej lojtarësh kosovarë që janë pjesë e Kombëtares sonë do të largohen. Tashmë jemi në një moment ku ka disa enigma. Po flitet shumë për trajnerin, por jo vetëm. Në gjykimin tim, disa prej lojtarësh, të cilët kanë qenë deri më tani pjesë e Shqipërisë, do të zgjedhin Kosovën. Nuk mendoj se do të jetë vetëm një lojtar. Këtu futen të pakënaqurit, por ka edhe nga ata futbollistë që bëjnë llogari. Gjithsesi, kjo situatë ka për të krijuar një hendek në ekipin Kombëtar, pasi nëse prishet disi baza e grupit, do të jetë e vështirë për ta ndërtuar prapë. Nëse ikën De Biasi, do të jetë akoma edhe më problem. Por, ky është futbolli dhe duhet të presim e të shohim. Jam i sigurt që do të ketë risi dhe shoh që kanë nisur të bëhen llogaritë. Politika e Federatës së Kosovës do të jetë për të ndërtuar një skuadër më të fortë se Shqipëria dhe për këtë kam bindje. Fadil Vokrri ka një emër të madh në futboll dhe tani si president i FFK-së, ka për të luajtur të gjithë gurët për të marrë lojtarët e Shqipërisë dhe Zvicrës. Mirëpo, të njëjtën gjë do të bëj edhe Armand Duka. Kosova i ka të gjitha mundësitë për të bërë një Kombëtare të fortë, sepse ka lojtarë shumë cilësorë në disa vende”, ka thënë Rudi Vata.

Ndikon në eliminatoret

I pyetur nëse kjo çështje mund të ketë një ndikim negativ te Shqipëria në prag të eliminatoreve të Botërorit, ish-kapiteni kuqezi Rudi Vata e lidh gjithçka me qëndrimin e trajnerit De Biasi. “Varet si do të menaxhohet situata, por besoj se nëse vazhdon të jetë trajner De Biasi edhe në eliminatoret e Botërorit, atëherë skuadra do ta ketë edhe më të lehtë. Me De Biasi-n trajner mund të mbyllen gjërat më shpejt, ndërsa me një tjetër në bankinë, do të ketë probleme. Ardhja e një stafi të ri do të krijonte shumë situata enigmatike. Megjithatë, do të kemi një Kombëtare ndryshe, kjo është e sigurt. Cana do të largohet dhe ai që ka për ta zëvendësuar duhet të jetë në imazhin e Lorikut. Normalisht nëse ikin edhe dy-tre të tjerë do të ketë një situatë tjetër”, ka përfunduar Rudi Vata.

(Kosova Sot)