Të motivuar në maksimum

  • 31 July 2016 - 09:19
Të motivuar në maksimum

Grup i vështirë për Kosovën.

Basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Alban Veseli, ka thënë se janë të motivuar maksimalisht që të paraqiten sa më mirë në kualifikimet e Kampionatit Evropian. Veseli ka shtuar se përgatitjet po shkojnë shumë mirë, derisa edhe ekipi është i kompletuar. Ai thekson se synimi i tyre është të lënë mbresa në këto kualifikime.

P ërfaqësuesja e Kosovës në basketboll po vazhdon përgatitjet intensive që të paraqitet sa më mirë në kualifikimet për Kampionatin Evropian, ku do të marrë pjesë për herë të parë. Tashmë edhe ekipi është kompletuar, derisa do të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore para se të përballen me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë. Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në kualifikime dhe synimet janë që të paraqiten sa më mirë dhe të lënë mbresa në këto kualifikime. 

Vullnet i madh për punë Basketbollisti i Kosovës, Alban Veseli, është shprehur shumë i kënaqur me përgatitjet e deritanishme. "Me përgatitjet jam shumë i kënaqur. Ekipi është kompletuar dhe po shkojnë sipas planit. Kjo është hera e parë që ne paraqitemi në gara zyrtare dhe në stërvitje vërehet një motiv i madh për punë nga të gjithë basketbollistët dhe vullnet i madh", ka thënë Veseli për "Kosova Sot". Ai thotë se është i kënaqur me ekipin që kanë. "Realisht ky është kapaciteti ynë. Shpresoj që në të ardhmen do të punohet më shumë me gjenerata të reja dhe të kemi një ekip sa më konkurrues. Ne shumica e njohim njëri-tjetrin, edhe pse duhet të komponohemi sa më mirë për ndeshjet që na presin. Tashmë do të kemi edhe një miqësore, derisa më pas i zhvillojmë edhe kualifikueset", theksoi njëri ndër basketbol listët më të mirë vendor. Ai ka qenë pjesë e Kosovës edhe më herët, derisa për një kohë të gjatë ka punuar nën urdhrat e përzgjedhësit Arben Krasniqi. Veseli dhe Krasniqi kanë punuar së bashku në Sigal Prishtinë, madje ishin shumë të suksesshëm, duke fituar shumë trofe në basketbollin kosovar.

Synimet Dy basketbollistët amerikanë, Justin Doellman dhe Shawn Jones, pritet t'i japin më shumë forcë Kosovës, derisa ka një grup mjaft të vështirë me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë. Edhe Veseli thekson se i presin ndeshje mjaft të vështira. "Kemi një grup shumë të vështirë. Për ne është hera e parë që paraqitemi në ndeshje ndërkombëtare dhe është një përvojë shumë e mirë për të gjithë ne. Ndeshjet miqësore që do t'i kemi para kualifikueseve do të na ndihmojmë shumë që të komponohemi si ekip sa më të mirë dhe të shohim formën e lojtarëve. Besoj se të gjithë që do të paraqiten do të japin maksimumin në fushë", shtoi tutje ai. Synimi i Kosovës në këto ndeshje është që të paraqitet sa më mirë. "Ne shpresojmë se do të kemi paraqitje sa më të mira. Dëshirojmë të lëmë mbresa dhe t'i tregojmë të gjithëve se dimë të luajmë basketboll. Pasi është hera e parë nuk mund të flasim për rezultate, megjithatë, besoj se do të japim 100 % nga vetja, pasi këto kualifikuese janë historike për ne, basketbollin dhe sportin kosovar, që ka qenë i izoluar deri më tani. Me ekipin që kemi mund të bëjmë paraqitje të mira dhe kam besim shumë te ky grup", përfundoi Alban Veseli.

(Kosova Sot)