Pa infrastrukturë s'ka suksese

  • 24 August 2016 - 08:29
Pa infrastrukturë s'ka suksese

Problemi kryesor pas thyerjes së izolimit 

Infrastruktura mbetet njëra nga pikat më të dobëta të sportit kosovar. Ky problem pothuajse është prezent në çdo sport. Kryetari i Federatë së Atletikës të Kosovës, Halil Sylejmani thotë se infrastruktura është njëri ndër faktorët kryesorë për suksese, derisa trajneri i mirënjohur, Taib Kabashi shprehet se për suksese nuk mund të flitet derisa nuk ka kushte ,raporton Gazeta Kosova Sot

Sporti kosovar në dy dekadat e fundit është ballafaquar me shumë probleme. Derisa izolimi ka përfunduar në të gjitha sportet, problemi kryesor mbetet infrastruktura. Ky problem është prezent pothuajse në çdo sport dhe po i pengon shumë sportistët dhe klubet që të arrijnë suksese në garat ndërkombëtare. Klubet kosovare të futbollit nuk u lejuan të garonin në ligat evropiane pikërisht për shkak të këtij problemi, derisa edhe basketbolli e sportet e tjera kërkojnë urgjentisht që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt. Kosova u përfaqësua me dy atletë në Lojërat Olimpike "Rio 2016", derisa nuk ka shteg të atletikës. Infrastruktura mungon edhe në not, e sporte të tjera.

Infrastruktura është zero Kryetari i Federatës së Atletikës të Kosovës, Halil Sylejmani thotë se infrastruktura është njëri nga faktorët kryesorë për të pasur suksese. "Infrastruktura është njëri nga faktorët që ndikojnë në paraqitjen e garuesve. Pastaj janë kushtet materiale, puna profesionale e kështu me radhë. Por, pa i pasur këto nuk mund të flasim për suksese. Dua të jem realist. Tërë jetën ia kam kushtuar atletikës dhe nuk mund të flasim për synime që mund të fitojmë në Lojëra Olimpike. Duhet shumë punë nga të gjithë. E, gjithë kjo punë është e lidhur në mënyrë zinxhirore dhe në fund vjen suksesi", deklaroi Sylejmani për "Kosova Sot". Ai thekson se infrastruktura te ne është zero. "Mund të them se infrastruktura është zero. Neve na nevojitet shteg i atletikës për të zhvilluar stërvitje dhe për t'i mbajtur garat. Klubet po punojnë me fuqinë e tyre, por edhe Komunat duhet të japin më shumë dhe Departamenti i Sportit. Shtegu i atletikës në Mitrovicë është ende duke u rinovuar edhe pas një viti e gjysmë. Nuk mund të them se është faji i Departamentit të Sportit, por nevojitet që urgjentisht të punohet në këtë drejtim. Neve na nevojiten shtatë shtigje të atletikës, së paku me kushte mesatare.

Duhet shumë punë nga të gjithë. Klubi, trajneri, infrastruktura, kushtet materiale dhe në fund të flasim për suksese. Ne jemi duke përgatitur që edhe me atletë tjerë të marrim pjesë në garat ndërkombëtare e jo vetëm me Musa Hajdarin dhe Vijona Kryeziun, por duhet kushte që ata të zhvillohen dhe të kenë suksese në të ardhmen", përfundoi Sylejmani. S'ka gjasa për medalje Kosova fitoi medaljen e artë në xhudo në "Rio 2016", por në sportet e tjera ishte mbrapa, si në not apo atletikë. Trajneri i njohur i hendbollit, Taib Kabashi shton se në këto sporte është jashtëzakonisht vështirë të fitohet medalje. "Në sportin e notit, atletikës, gjimnastikës, apo sporte të tjera është shumë e vështirë për medalje, për të mos thënë nuk ka gjasa për medalje. Duhet shumë punë nga të gjithë. Infrastruktura është një çështje shumë e rëndë- sishme në sport. Pa infrastrukturë vështirë se mund të flasim për suksese. Në garat elitare marrin pjesë sportistët më cilësorë në botë, andaj për suksese është shumë vështirë, sidomos me këso probleme çfarë ballafaqohemi ne. Sportistët duhet të kenë kushte për të punuar dhe të mos kenë probleme të tjera që mund t'i pengojnë në rrugën e tyre. Duhet shumë punë nga të gjithë dhe duhet të punohet me vite të tëra, e pastaj të flasim se mund të arrijmë suksese", deklaroi Kabashi për gazetën tonë. 

(Kosova Sot)