Trajnerët, nën urdhrat e “bosëve”

  • 26 August 2016 - 09:17
 Trajnerët, nën urdhrat e “bosëve”

Trajnerët në Kosovë shpesh vendosin sipas qejfit të pronarëve të klubeve

"Shumë trajnerë nuk e kanë të rregulluar mirëqenien sociale dhe janë të varur nga një rrogë që ia siguron klubi, dhe kjo e vështirëson maksimalisht vendimmarrjen e tij. Pra, me pak fjalë, ka raste kur trajnerët duhet të marrin vendim duke u shantazhuar edhe nga nevoja e rrogës", ka thënë Agron Selmani

Futbolli ynë përballet me probleme të mëdha

Klubet kosovare, saktësisht pronarët e tyre,  ende nuk e kanë besimin e plotë që fatin e skuadrës ta lënë plotësisht në duart e trajnerit. Sigurisht që joprofesionalizmi i disa trajnerëve bën që bosët e klubeve ta humbasin besimin tek ata, por duhet pranuar se edhe në krye të disa klubeve ka njerëz që nuk kanë shumë njohuri për futbollin dhe prapë  i japin komoditet vetes të vendosin për shumëçka. “Kapja” e klubeve nga disa pasanikë bën që futbolli ynë të përballet me lloj-lloj situatash e të cilat në klube profesionale as që mund të paramendohen. Në Kosovë, telashet e trajnerëve fillojnë që  në hapjen e afatit kalimtar, duke mos vendosur 100 për qind për merkaton e futbollistëve,  e aq më keq shpesh janë të detyruar që në klub të bëjnë prurje edhe pa dëshirën e tyre, derisa edhe gjatë ndeshjeve ka tendenca që t’u përzihen edhe në formacion.  Këtë e dëshmojnë edhe deklaratë e “nxehta” të disa trajnerëve, të cilët, pas ndarjes me kubet, kanë treguar për padrejtësitë që u janë bërë. “Kryesia e klubit e ka formuar një komision, i cili do të merrej me përforcimet dhe njëkohësisht është bërë e ditur se gjithçka do të shkojë në bashkëpunim me mua. Mirëpo, për dy muaj unë asnjëherë nuk jam kontaktuar nga ky komision për asnjë lojtarë. Ata kanë sjellë përforcimet që kanë dashur vetë, me të cilat unë nuk jam pajtuar. Pra, atyre nuk u konvenoi korrektësia ime dhe më larguan me arsyetimin se nuk kam licencë”. Kjo ishte deklarata e trajnerit të mirënjohur, Skënder Shëngyli, menjëherë pas shkarkimit që kishte ndodhur edicionin e kaluar te skuadra e Lirisë. Mirëpo, ky nuk ka qenë reagimi i vetëm, pakënaqësi në kryesi të klubit patën shprehur edhe Genc Hoxha te Vëllaznimi i Gjakovës e Ramiz Krasniqi te Prishtina, ky i fundit për shkak të mostransferimit të lojtarëve të kërkuar, gjë e cila ndikoi pastaj në rezultatet e skuadrës, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Selmani: Gjërat e tilla dëmtojnë futbollin

Njëri nga trajnerët që po bën “bum” në vitin e fundit në futbollin tonë është ai i Ferizaj, Agron Selmani. Sukseset e fundit ku fillimisht arriti ta rikthejë në elitën e futbollit Ferizaj dhe startit të fuqishëm këtë edicion në Vala Superligë duke e mposhtur Hajvalinë me rezultat 4:0, bën që puna e tij të vlerësohet. Selmani e pranon se në futbollin tonë trajnerët përballen me situata të ndryshme, madje me tendenca kur kryesia tenton të përzihet edhe në punën profesionale dhe krejt kjo, sipas tij, vjen për shkak që për shumë trajnerë ekzistenca ekonomike varet nga paga që marrin në klub dhe kjo i detyron të bien vendime kundër dëshirës së tyre. “Klubin e menaxhon bordi, apo kryesia e ngushtë, apo edhe vetë kryetari dhe në angazhimin e lojtarëve shpesh kyçen, nganjëherë për interes të klubit, për interesa financiare, por edhe për interesa të grupacioneve apo të individëve me ndikim. Duke u nisur nga fakti se shumë trajnerë nuk e kanë të rregulluar mirëqenien sociale dhe janë të varur nga një rrogë që ia siguron klubi,  kjo e vështirëson maksimalisht vendimmarrjen e tij. Pra, me pak fjalë, ka raste kur trajnerët marrin përgjegjësinë edhe nga ky fakt, por që nuk mund të përmirësojnë shumë situatën në klub, pasi janë të shantazhuar nga nevoja e rrogës. Një gjë tjetër që duhet të potencojë është se nisur edhe nga ana subjektive dhe nga reflektimi i publikut,  trajnerët dinë  të deklarohen edhe para kohe për të justifikuar edhe peshën e përgjegjësisë në rast të mungesës së suksesit”, ka thënë Agron Selmani.

Gashi: Situata po përmirësohet

Në anën tjerët, futbollisti me përvojë Dugagjin Gashi, i cili në karrierën e tij pati rastin të luajë në shumë klube dhe të “ballafaqohet” me shumë trajnerë, thotë se situata në vendin tonë sa i përket çështjes trajner-klube po përmirësohet. Ai e pranon se ka disa trajnerë joprofesionalë që lejojnë gjëra të tilla, megjithëse kohëve të fundit trajnerët kanë nisur t’i marrin “frerët” në dorë. “Gjatë karrierës sime nuk mund të them se kam hasur në gjërat kur trajneri ishte i detyruar të vendosë për qejfin e kryesisë, por sigurisht që gjëra të tilla kanë mundur të ndodhin. Puna e trajnerit varet nga kushtet që ofron klubi, por unë besoj se shumë prej tyre punojnë profesionalisht. Unë them se një trajner që lejon dikë t’i përzihet në formacion, ai nuk është trajner dhe sigurisht që “trajnerë” të tillë ndikojnë shumë keq edhe në atmosferën dhe të ardhmen e një klubi”, ka thënë Dugagjin Gashi.

(Kosova Sot)