Bunjaki: Zeneli ka qenë gjithmonë i yni

  • 26 August 2016 - 09:23
Bunjaki: Zeneli ka qenë gjithmonë i yni

Vendosja e Arbër Zenelit që të luajë për Kosovën e ta lërë Suedinë u bë lajmi i ditës në Suedi. Lojtari refuzoi ftesën e U21 të Suedisë për Kosovën dhe kjo nuk u prit aspak mirë në shtetin skandinav. Menjëherë pas kësaj ka folur përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, i cili ishte kryesor që e bindi futbollistin e Heerenveen-it t’i thotë po Kosovës, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

“Me Arbrin kam kontakte që nga koha kur luante me Elfsborg-un, mirëpo, meqenëse nuk ishim të pranuar në UEFA e FIFA, nuk kishte asgjë për t’u biseduar. Tani jemi në FIFA dhe 10 ditë larg ndeshjes me Finlandën. Arbri është pjesë e projektit tonë. Ka talentin, shpejtësinë dhe ka bërë zhvillim të madh në vitet e fundit”, tha Bunjaki për TV4, duke folur më pas për tri kategoritë e lojtarëve që do t’i thonë po Kosovës.

“Lojtarët që kanë luajtur me kombëtaret tjera, disa edhe në Evropian, ata që kanë luajtur edhe më herët për Kosovën, dhe lojtarët si rasti i Zenelit, që kanë luajtur me grupmosha  të kombëtareve të tjera, do t’i bashkohen ekipit tonë për kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018””, ka sqaruar Bunjaki.

(Kosova Sot)