Nuk jetohet nga hendbolli!

  • 27 August 2016 - 10:26
 Nuk jetohet nga hendbolli!

Kushtet e vështira në hendbollin kosovar

Sporti kosovar vazhdon të ballafaqohet me shumë probleme. Vonesat e pagave dhe pagat e ulëta kanë ndikuar që shumë lojtarë të kryejnë punë të tjera për të mbijetuar. Njëri ndër ta është Vedat Llapashtica. Ai thotë se kushtet në hendbollin kosovar janë shumë të rëndë. Edhe trajneri Taib Kabashi shprehet se ata nuk kanë jetë prej sportisti

Shumë hendbollistë kryejnë edhe punë të tjera

Thyerja e izolimit nuk ka zgjidhur të gjitha problemet e sportit kosovar, që vazhdon të ballafaqohet me shumë peripeci. Shumë sportistë ende nuk paguhen me rregull, kurse shumë të tjerë nuk paguhen fare. Ata detyrohen të kryejnë punë të tjera, pasi nga sporti nuk mund të jetohet. Kështu ndodh edhe në hendboll, ku shumë lojtarë ballafaqohen me këtë problem. Në disa klube pagat nuk merren me rregull dhe skuadrat kanë shumë probleme, derisa në këtë aspekt preken më së shumti lojtarët, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

 

Image

 

Kushtet e rënda

Njëri ndër hendbollistët që detyrohet të punojë punë të tjera është Vedat Llapashtica. Hendbollisti i Prishtinës punon edhe një kafeteri në kryeqytet vetëm e vetëm për të mbijetuar. Ai nuk e ka aspak lehtë. Pasioni i tij është hendbolli, por duhet të punojë edhe diku tjetër. Llapashtica tregon për kushtet në hendboll. “Kushtet në hendboll janë shumë të vështira. Mund të them shumë të rënda. Madje, kushtet nuk janë përmirësuar fare kohët e fundit, vetëm është më keq. Kampionati i Kosovës nis në muajin shtator, kurse ne ende nuk i kemi filluar stërvitjet”, deklaroi Llapashtica për “Kosova Sot”. Ai tregon se është vështirë të merresh me hendboll dhe të punosh edhe një punë tjetër. “Është e vështirë të luash hendboll dhe njëkohësisht të punosh në kafene. Më ka ndodhur shpeshherë që nga puna të shkoj drejt në ndeshje. Kam menduar të heq dorë nga hendbolli, pasi është dytësore ose si hobi, ngase nuk paguhet. Nëse duhet të heq dorë nga njëra prej këtyre punëve, atëherë do ta lija përfundimisht hendbollin. Në Kosovë është tejet e vështirë të merresh me dy profesione, por nëse nuk mungon vullneti mund t’ia dalësh. Edhe pse i bëj dy puna, profesion më i dashur për mua mbetet hendbolli, pasi është sport me qejf, ndërsa puna e banakierit është pak me qejf dhe pak e imponuar. Më ka ndodhur që në stërvitje të mos shkoj ndonjëherë shkaku i kësaj pune, por edhe klubi e mirëkupton këtë”, ka shtuar Llapashtica. Madje, hendbollistët detyrohen që edhe shpenzimet e lëndimeve t’i paguajnë vetë. “Shpresoj të mos lëndohemi, pasi shpenzimet do të duhej t’i paguajmë vetë, sepse nuk kemi sigurime shëndetësore dhe kjo është shumë e keqe në sportin e Kosovës”, theksoi ndër të tjera Vedat Llapashtica.

Image

 

Nuk kanë jetë sportisti

Trajneri i Trepçës, Taib Kabashi flet për gjendjen në përgjithësi të hendbollit kosovar. “Kushtet në hendboll nuk janë shumë të mira. Duhet sponsorë të ketë më shumë dhe financa. Hendbollistët jetojnë me paga të kamerierit. Shumica prej tyre paguhen nga 200-300 euro, madje edhe këto nuk i marrin me rregull. Kjo nuk është një jetë sportisti. Ata do të duhet që të paguhen 600-800 euro në muaj, në mënyrë që të kenë kushte për të mbijetuar dhe të jenë sportistë profesionistë dhe të mos merren me gjëra të tjera çfarë nuk ju takojnë”, theksoi trajneri Kabashi, i cili me dekada punon në hendbollin kosovar. Hendbolli është njëri nga sportet e para që ka thyer barrierat e izolimit. Kabashi shton se ndërrimi i gjeneratave ka ndikuar në paraqitjet e tyre në garat evropiane. “Besoj se ka ndikuar ndërrimi i gjeneratave. Ne kemi shumë talente, por që duhet shumë punë. Duhet të punohet shumë në këtë aspekt dhe rezultatet e mira do të vijnë”, u shpreh ish-përzgjedhësi i Kosovës në hendboll. 

(Kosova Sot)