Besa e pakapshme, kampionët gjunjëzohen prapë

  • 29 August 2016 - 10:26
Besa e pakapshme, kampionët gjunjëzohen prapë

Besa e Pejës edhe një herë ka treguar forcën e vet. Pas triumfit në javën e parë ndaj Feronikelit, skuadra pejane e drejtuar nga strategu Gani Sejdiu ka shënuar një tjetër fitore, këtë herë duke e mposhtur Ferizajn me rezultat 2:0 për të konfirmuar kështu se sivjet do të jetë njëra ndër skuadrat kryesore në luftë për titullin e kampionit. Besa ashtu siç ishte paralajmëruar se ndaj Ferizajt nuk do të ketë punë të vështirë edhe doli, pasi pejanët zhvilluan një lojë të sigurt dhe për asnjë moment nuk e rrezikuan fitoren, madje dukej se ata sikur e ruanin energjinë për ndeshjet e radhës, transmeton gazeta Kosova Sot.

Ishte Mirsad Idrizi, i cili në tentim për ta larguar topin nga zona e tij shënon në portën e vet, për t'i dhënë epërsinë fillestare Besës. Krejt kjo ndodhi në minutën e 45-të të takimit. Golin e fitores së Besës i ka dhënë Qemajl Elshani, që shënoi në minutën e 59- të. Të kujtojmë se Ferizaj në këtë takim kishte udhëtuar me synime të mëdha, pasi qysh në start shënoi një fitore bindëse ndaj Hajvalisë me rezultat 4:0, me shpresë se këtë ritëm do ta ruajë edhe ndaj Besës, por kështu nuk doli.

Gjilani triumfon në derbi

Ndeshja derbi e kësaj jave e zhvilluar në Gjilan, ndërmjet Gjilanit dhe Feronikelit, përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 2:1. Kjo është e humbja e dytë me radhë e kampionit në këtë edicion, duke dhënë kështu sinjale se sivjet do ta ketë bukur shumë problem ta ruajë trofeun e titullit të kampionit. Ndeshja ashtu siç është pritur nisi me shumë ritëm, pasi për të dyja skuadrat pikët ishin shumë të rëndësishme, pasi që si Gjilani ashtu edhe Feronikeli kampionatin e kishin nisur me humbje, madje duke u mposhtur në shtëpi të tyre. Kjo edhe bëri që angazhimi për pikë të jetë maksimal. Feronikeli në fillim të pjesës së parë luajti më mirë dhe më shumë bënte trysni te goli i Gjilanit, por ja që ishin vendasit ata që realizuan të parët. Ish-futbollisti i Feronikelit, Isa Eminhaziri, ai që shënoi një gol të bukur. Feronikeli u mendua se nga Gjilani do të dalë së paku me një pikë, kur në minutën e 88-të barazoi Besnik Krasniqi pas një asisti perfekt nga Mentor Zhdrella. Mirëpo, pas vetëm 2 minutave lojë, Gjilani e ka rikthyer epërsinë këtë herë me një gol të bukur nga Betim Haxhimusa, i cili edhe solli gëzim të madh në radhët e gjilanasve. Në takimet e tjera të ditës së djeshme, Trepça'89 me vështirësi e ka mposhtur Dritën me rezultat 1:0. Tri pikë në fushën e vet i ka ndalur edhe Llapi që e mposhti Trepçën, ndërsa Hajvalia ka pësuar humbjen e dytë, këtë herë në fushën e saj nga Drenica me rezultat 1:0.

Prishtina kryesuese

Skuadra e Prishtinës ka vazhduar me formë të mirë në fillim të këtij edicioni. Dje, bardhekaltrit në stadiumin "Përparim Thaçi" në Prizren, kanë shënuar fitore kundër Lirisë, me rezultat 2:1 për të vazhduar kështu suksesshëm drejt objektivave të veta. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 10-të, me një supergol të shënuar nga Endrit Krasniqi. Prizrenasit arritën të barazojnë shifrat në minutën e 36-të, kur Visar Berisha e dërgoi topin në rrjetë pas harkimit nga këndi të Liridon Fetahajt. Në pjesën e dytë Prishtina u tregua sërish më këmbëngulëse dhe në minutën e 49-të e riktheu epërsinë. Ishte sërish Endrit Krasniqi, i cili gjeti rrugën e golit, kësaj radhe nga gjuajtja e lirë, duke i dhuruar njëherësh skuadrës së tij edhe tri pikë të reja, të cilat e vendosin në pozitën e parë në renditje.

(Kosova Sot)