Një Kosovë ndryshe

  • 26 October 2016 - 08:28
Një Kosovë ndryshe

Në prag të ndeshjes me Turqinë, përzgjedhësi e di çfarë do.

Një Kosovë ndryshe. Ky është paralajmërimi i përzgjedhësit Albert Bunjaki, i cili ndoshta nuk mund të bëjë ndryshime të mëdha për nga formacioni, por gjithsesi qasja në fushë do të jetë krejt ndryshe, karshi dy takimeve të fundit që i pati. Humbjet ndaj Kroacisë e Ukrainës ishin të dhimbshme, por duhet të merren si mësim, pasi sipas Bunjakit ne po rritemi dhe po krijojmë përvojë dhe se këto eliminatore po shërbejnë që ta bëjnë gati ekipin për ta prekur kualifikimin në Evropianin 2020. "Jemi në fazën finale dhe lojtarët kanë edhe dy ndeshje në ekipet e tyre para se të grumbullohemi në Antalia. Disa lojtarë janë në formë shumë të mirë dhe po luajnë rregullisht, përderisa disa duhet të mendojnë për afatin kalimtar të janarit dhe të bëjnë një zgjedhje të mirë, pasi në skuadrat aktuale kanë kohë të kufizuar dhe kjo i largon nga forma", ka thënë numri një në bankinën e Kosovës, i cili, pavarësisht humbjes së thellë në dy ndeshjet e fundit, ndihet i qetë, pasi e ka të qartë objektivin e tij.

Rikthehen disa lojtarë "Enis Alushi do jetë i gatshëm për lojë ndaj Turqisë. Po ashtu, shpresoj të kthehen Ardian Ismajli e Benjamin Kololli nga lëndimet, ndërsa situata me Loret Sadikun ende është e paqartë dhe këtë vikend do të jem në Stamboll të bisedoj me të. Atdhe Nuhiu është në pritje të vendimit për të pasur drejt të luajë me ne", ka thënë Bunjaki, duke folur më pas për tri ndeshjet e para eliminatore, të cilat nisën mirë, por fundi ishte i keq. "Ne kishim tri ndeshje për një muaj dhe ka qenë e vështirë si në aspektet organizative ashtu edhe sportive, për një Kombëtare te re, me një moshë mesatare 22/23 vjet. Jemi ballafaquar me dy kombëtare që kanë qenë pjesë e fazës finale në Evropian dhe ishte një eksperiencë e mirë për ne, duke kuptuar se kombëtaret e tilla nuk u nevojitet shumë hapësirë që të shënojnë. Kjo i bën ato të jenë në top të kombëtareve më të mira në botë. Ne e kuptuam se loja kolektive është shumë e rëndësishme dhe këtë në fakt e treguam deri në minutën e 80-të kundër Ukrainës në Poloni, ku madje patëm edhe raste të barazojmë, me Berishën, i cili një herë qëlloi shtyllën. Pra, e dimë qe kemi të bëjmë me kundërshtarë shumë të fortë, por këto lojë janë duke na bërë më të fortë dhe me kompaktë nga dita në ditë", ka thënë Bunjaki.

Pengesat administrative Një nga arsyet që Kosova hyri e papërgatitur në ndeshjet eliminatore për Botëror ishte dhe çështja e lojtarëve nëse kanë të drejtë loje apo jo. Kjo edhe bëri që deri në momentet e fundit Bunjaki mos ta ketë të qartë formacionin që ta hedhë në fushë. "Kishim pengesa, madje edhe sot kemi, pasi jemi në pritje të vendimit për disa lojtarë që të luajnë me ne. Në ndeshjet e fundit më shumë se 30 për qind e lojtarëve shartues asnjëherë nuk kanë luajtur bashkë me ne dhe sigurisht që kjo kërkon kohë që ne të komponohemi. Gjithsesi, duke kuptuar vështirësitë dhe gjendjen ku jemi, jemi munduar të japim më të mirën e nganjëherë është edhe një përgjigje e thjeshtë, kundërshtarët tanë janë shumë më të mirë se ne, të paktën në këto momente. Por, sa më shumë që luajmë bashkë, do të jemi më kompaktë dhe më të mirë. Jemi kombëtarja më e re në botë, pasi 17 lojtarë, nga 23, janë nën moshën 24-vjeçare, 12 nga ta edhe sot do të kishin mundur të luanin me U21. Pra, ne, edhe pse gjendemi në grupin më të vështirë të mundshëm, me 5 lojë që i luajmë jashtë Kosovës dhe telashet administrative, themi se jemi mirë dhe se kemi një projekt dhe një qëllim", vlerësoi përzgjedhësi i Kosovës. "Përkundër faktit që ne jemi në grupin më të vështirë të mundshëm, me 4 kombëtare që ishin në fazën finale të Evropianit dhe me lojërat që nuk mundemi t'i luajmë në Kosovë etj., Kosova ka një projekt shumë interesant, në të cilin kemi punuar tash e 8 vjet dhe frytet veç kanë filluar të shihen. Kemi ekipin me moshën më të re në botë, kemi arritur t'i tubojmë disa nga talentet me të mëdhenj shqiptarë, si Celina, Rashica, Zeneli, Bytyqi etj., dhe se caku ynë i përbashkët është kualifikimi për Evropianin 2020, derisa botërorin do të mundohemi ta përdorim për pjekurinë tonë. Pra, tash për tash si cak i këtyre eliminatorëve është që në fund të tyre të paktën të jemi në mesin e 100 kombëtarëve më të mira në botë, që mendoj është shumë reale për momentin", ka përfunduar Albert Bunjaki.

(Kosova Sot