Inter dhe Milan, në stadiume të ndryshme

  • 03 July 2015 - 08:45
Inter dhe Milan, në stadiume të ndryshme

Milan e Inter bëjnë aleancë për çështjen e stadiumit. Me sa duket bashkëjetesës në ‘San Siro’ i ka ardhur fundi. Drejtuesit e të dy klubeve, përkatësisht drejtori i përgjithshëm i zikaltërve, Marco Fasssone dhe Alfonso Cefaliello anëtar bordi te kuqezinjtë, i janë drejtuar Bashkisë së Milanos me një kërkesë për t’i dhënë fund menaxhimit të përbashkët të stadiumit “Giuseppe Meazza” në të cilën shkruhet: “Për të qenë në nivelin e klubeve të mëdha ndërkombëtare dhe për të konkurruar me ta, Inter-i dhe Milan-i duhet të kenë në dispozicion impiante të ndarë. Tashmë ‘San Siro’ nuk mund të mirëpresë më të dyja këto skuadra”. Ashtu siç shpjegon Fassone të paturit e një stadiumi është kthyer në një pikë strategjike për të gjitha klubet e nivelit të lartë, kjo vlen edhe për Inter-in e Milan-in që duhet të kenë shtëpinë e tyre, pasi të dyja klubet bien dakord se ‘San Siro’ nuk mund t’i mirëpresë më njëkohësisht. Zikaltërit dëshirojnë që të vijojnë të qëndrojnë në ‘San Siro’ duke e zhvilluar atë, ndërkohë që kuqezinjtë duken të vendosur për ndërtimin e një strukture të re sportive në zonën e Portellos që është vetëm 3 km larg Meazza-s. Të dy projektet si ai i zhvillimit të ‘San Siro’-s dhe ai i ndërtimit të impiantit të ri janë të sinkronizuar dhe në të njëjtën linjë mendimi. Synimi është që vlera e këtyre dy zonave të Milanos të ngrihet edhe më shumë duke aplikuar në to teknologjinë e fundit.

(Kosova Sot)