Tour De France, flasin protagonistët

  • 03 July 2015 - 10:17
Tour De France, flasin protagonistët

Të shtunën starton nga qyteti holandez i Utrecht edicioni i 102 i Tour de France. Protagonistët po ngrohin muskujt ndërsa organizatorët po i japin dorën e fundit përgatitjeve. Kjo është hera e gjashtë që turi e nis rrugëtimin nga Holanda, ndërsa numri i etapave do të jetë 21. Njëri prej pretendentëve të këtij sezoni është fituesi i Xhiros së Italisë, Alberto Contador, i cili duket i karikuar dhe i bindur për të rikthyer në palmaresin e tij trofeun më prestigjoz të sportit të çiklizmit.

“Gjatë muajve të fundit kam menduar vetëm për Tour de France. Do të ketë shumë favoritë. Gjëja më e rëndësishme është motivimi. Unë kam dëshirë që pas Xhiros së Italisë të fitoj edhe Turin e Francës sepse këto janë dy gara që më kanë ndryshuar karrierën. Nëse arrij t’i fitoj të dy trofetë në një sezon, atëherë njerëzit do më kujtojnë më lehtë dhe ky është një motivim shumë i madh për mua”.

Ndërkohë, Chris Froome kërkon të fshijë zhgënjimin e vitit të shkuar, transmeton supersport.

“Kur u rrëzova vitin e shkuar isha i pafat. Diçka preku te rrotat dhe në atë moment nuk mund të bëja asgjë. Shpresoj që gjëra të tilla të mos më ndodhin sërish këtë sezon. Çdokush rrëzohet dhe kjo mund t’i ndodhë çdo pjesëmarrësi. Këtë sezon kam më shumë besim sepse kam punuar me njerëz fantastikë”.

Mediat u poërqëndruan edhe te talenti kolumbian, Nairo Quintana, i cili shihet si i riu më premtues i çiklizmit botëror dhe një nga rivalët që mund të kërcënojë dyshen Froome-Contador.

“Jam shumë i emocionuar. Gjithmonë kam dëshiruar të jem pjesë e kësaj gare dhe jam ku jam. Tani po mendoj vetëm për startin dhe më pas duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë. Jemi përgatitur për t’i shkuar deri në fund kësaj gare. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë në drejtimin e duhur, sidomos gjatë javës së parë”.