Blatter, sulmon Francën dhe Gjermaninë

  • 05 July 2015 - 13:50
Blatter, sulmon Francën dhe Gjermaninë

Presidenti i FIFA-s, Sep Blatter hidhet në kundërsulm për të shmangur përgjegjësitë për caktimin e Botërorit 2018 dhe 2022 respektivisht Rusisë dhe Katarit. 79-vjecari zviceran në një intervistë për mediat gjermane zbuloi se Franca dhe Gjermania, dy superfuqi të Europës politike por edhe të futbollit, kanë ushtruar presion te përfaqësuesit e tyre që Rusia dhe Katari të ishin kandidaturat fituese.

“Ish-Presidenti i Frances, Nicolas Sarkozy dhe ai gjerman Christian Wulff bënë gjithcka që të influenconin tek përfaqësuesit e tyre me të drejtë vote. Kjo është arsyeja përse Kupa Botës do të zhvillohet në Katar. Ata që vendosën për të duhet të mbajnë përgjegjësi tashmë”, transmeton supersport.

Një lëvizje mbrojtëse kjo e Blatter, që kërkon ta ruajë të pastër figurën e tij, pas skandaleve të njëpasnjëshmë që kanë përfshirë institucionin që ai drejton që nga viti 1998.

“Unë veproj me parimet e udhëheqësit. Nëse shumica e Komitetit Ekzekutiv dëshiron një Botëror të zhvillohet në Katar, atëherë mua më duhet ta pranoj. Federata gjermane e Futbollit mori një rekomandim nga presidenti i vendit Wulff për të votuar për Katarin për interesa ekonomike”, ka deklaruar Blatter.