Pret më shumë suksese

  • 28 February 2017 - 09:08
Pret më shumë suksese

Vitin e ardhshëm marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare

Komitetin Olimpik të Kosovës po e presin shumë sfida. Përgatitja e stafit teknik të federatave, përgatitja e sportistëve për garat ndërkombëtare, pjesëmarrja në disa evente për herë të parë, janë disa nga sfidat e KOK-ut. I pari i Komitetit, Besim Hasani ka folur edhe për infrastrukturën sportive dhe problemet financiare të sportistëve. Hasani pret më shumë suksese në vitet e ardhshme, sidomos në Lojërat e ardhshme Olimpike që do të zhvillohen në Tokio më 2020.

Sportistët me potencial të madh

Hasani ka thënë se janë duke përkrahur administratorët e sportit. "Jemi duke u munduar të ngremë cilësinë e administratorëve të sportit. Kemi filluar me boksin, do të vazhdojmë me notin dhe do të vazhdojmë me federatat e tjera. Misioni ynë është zhvillimi dhe përkrahja e lëvizjes olimpike. Synojmë që të shtohet përvoja nëpër federata dhe në stafin teknik të federatave", ka thënë fillimisht Hasani për "Kosova Sot". Ai ka shtuar se do të vazhdojnë të përkrahin sportistët në garat ndërkombëtare që do të marrin pjesë. "Ne do të vazhdojmë të përkrahim sportistët. Sigurisht se suksesi varet edhe nga sportisti, klubi dhe federata, por përkrahja jonë gjithmonë do të ekzistojë. Ndërtimi i sportistëve për ne ka shumë rëndësi. Në Kosovë ka shumë sportistë me potencial të madh dhe këtë potencial duhet ta shfrytëzojmë në maksimum", ka shtuar tutje i pari i Komitetit Olimpik të Kosovës. Skitari Albin Tahiri për herë të parë mori pjesë në një Kampionat Botëror. Në vitet e ardhshme pritet që edhe në disa gara të paraqiten për herë të parë. "Vitin e ardhshëm do të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare. Kemi marrë pjesë në Festivalin Dimëror dhe do të marrim pjesë në atë Veror. Pra, na pret një kalendar shumë i ngjeshur me aktivitete të shumta", theksoi Hasani, i cili në dhjetor të vitit të kaluar fitoi edhe një mandat në krye të KOK-ut. Ai është kryetar i KOK-ut që nga viti 1996.

Infrastruktura dhe problemet financiare

Në "Rio 2016" morën pjesë tetë garues, ku dy prej tyre u kualifikuan me normë olimpike (Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova). Ai pret që në Olimpiadën e ardhshme të marrin pjesë me më shumë garues dhe të kenë më shumë suksese. "Në Lojërat Olimpike kemi marrë pjesë për herë të parë me tetë sportistë. Ky është një sukses. Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë dhe ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm për vendin tonë. Shumë shtete marrin pjesë me vite të tëra dhe nuk kanë medalje, kurse Kosova në paraqitjen e parë siguroi medaljen e artë. Sigurisht se për Lojërat e ardhshme do të kemi më shumë kohë të përgatitemi. Pres realisht që të marrim pjesë me më shumë garues dhe të kemi më shumë suksese. Tashmë edhe karate është sport olimpik dhe karateistët e Kosovës janë duke u përgatitur që të marrin pjesë në Olimpiadën e ardhshme. Përveç xhudos, suksese mund të kemi edhe në boks, ku kemi Donjeta Sadikun, me potencial të madh, por suksese mund të kemi edhe në mundje", ka nënvizuar Hasani. Garuesit kosovarë ankohen se infrastruktura sportive është shumë e dobët, derisa gjithashtu kanë probleme financiare, pasi nuk paguhen shumë dhe jo me rregull. "Sa i përket infrastrukturës ne nuk mund të bëjmë shumë, pasi nuk kemi kompetenca. Me këtë merret më shumë qeverisja qendrore dhe ajo lokale, ndërsa sa u përket problemeve financiare, ne i përkrahim me bursa dhe çdo sportist që fiton medalje elitare në garat ndërkombëtare shpërblehet. Madje, shpërblimet janë më të mëdha se shumë shtete të tjera. Por, edhe me anë të programeve të ndryshme i kemi përkrahur dhe me mundësitë tona. Boksieri Armend Xhoxhaj është larguar nga Kosova dhe sikur të më pyeste mua nuk do të ishte larguar. Mendoj se zgjedhja e tij është personale", ka përfunduar Besim Hasani.

(Kosova Sot)