Sinjale për një pranverë të zjarrtë

  • 28 February 2017 - 09:11
Sinjale për një pranverë të zjarrtë

Prishtina është skuadra e vetme që nuk i përmbushi pritshmëritë

Java e parë e stinorit pranveror të Vala Superligës së Kosovës në futboll, pa asnjë dyshim mund të thuhet se i arsyetojë pritshmëritë e mëdha. Ndeshjet të bukura, rivalitet i mirë, e mbi të gjitha shikueshmëria e kënaqshme, janë sinjale se sivjet pranvera do të jetë e zjarrtë. Gjithçka që i shqetëson njohësit e futbollit është infrastruktura në vend, e cila mbetet një hendikep dhe pengesë për zhvillimin e ndeshjeve. Gjithsesi, ajo që e bëri më interesant këtë fillim të garave ishte superderbi i Anamoravës, ku u ballafaquan Gjilani e Drita, takim ky që solli spektakël në tribuna, por që loja në fushë la shumëçka për të dëshiruar. Trajneri vushtrrias, Bekim Shotani pajtohet me atë se java e parë ishte e kënaqshme, derisa trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani beson se vazhdimi do të jetë edhe më i mirë, shkruan gazeta Kosova Sot

Shkëlqeu Trepça'89, dëshpëroi Prishtina

"Ishte një javë që kaloi në shënjestër të sulmuesve, pasi u shënuan 19 gola", ka thënë Shotani, duke shtuar se kjo javë solli rezultate kryesisht të pritura. "Nuk pati befasi, edhe pse them se kemi pritur më shumë prej Prishtinës në duel me Ferizajn, ku dështoi në konkretizimin e rezultateve. Them se Trepça'89 shkëlqeu, derisa Besa shumë mirë e ka nisur stinorin dhe me meritë e mposhti Llapin. Feronikeli tregoi karakter të fortë pas dështimit për Kupë, por u kthye fuqishëm në garat kampionale me 5 gola të shënuar", ka thënë trajneri vushtrrias duke e komentuar edhe derbin e Anamoravës. "Gjilani tregoi formë të mirë dhe me pak fat ka mundur ta fitojë ndeshjen. Në anën tjetër, te Drita u panë disa probleme me lëndime. Unë kam një ndjejnë që nuk po u besohet lojtarëve të shëruar dhe të aftë 100 për qind për ndeshje", ka vlerësuar Shotani, i cili pengesën e vetme që e pa në javën e parë ishte infrastruktura. "Organizimi i ndeshjes, pavarësisht infrastrukturës jo të mirë, them se ishte i kënaqshëm. Koha po ecën dhe ne tashmë duhet të vetëdijesohemi se vetëm me punë arrijmë atje ku duam. Gjithsesi, mbetet të shihet vazhdimi i garave e që unë pres se do të jetë edhe më i mirë dhe me shumë befasi. Mirëpo, federate duhet të jetë strikte në organizimin e ndeshjeve, madje edhe të asistojë për organizimin edhe më të mirë kur është në pyetje ndeshjet si ajo që ishte Gjilani - Drita", ka përfunduar Bekim Shotani.

Start i frikshëm i Feronikelit

Njëra nga skuadrat që është pritur që mund të ketë probleme në ndeshjen e parë ka qenë Feronikeli, kjo për shkak të eliminimit nga gara e Kupës, e cila ka mundur të ndikojë në aspektin psikologjik, mirëpo trajneri Afrim Tovërlani ia kishte dalë t'i përgatisë lojtarët që ta harrojnë atë dështim. "Realisht, te fitorja jonë e thellë ka ndikuar edhe eliminimi nga Kupa, pasi tash nuk na ka mbetur tjetër, përveç përqendrimi maksimal te kampionati. Të jem i sinqertë, në asnjë moment nuk kam lejuar të mendohet se mund ta mposhtim lehtë Trepçën", ka thënë Tovërlani, i cili në këtë fillim të garave po përballet me probleme të shumta me lëndime. "Këta lojtarë, që janë të shëndoshë, janë të përgatitur shumë mirë, por sigurisht problem po na shfaqin lëndimet në pikat kyçe", ka thënë "Toki", i cili pret një garë shumë të fortë sivjet deri në fund. "Java e parë ka qenë e dominuar nga derbi në Gjilan dhe ishte një atmosferë fantastike dhe një disiplinë për lakmi nga të dyja ekipet. Ndeshjet e tjera ishin ashtu siç kam pritur se do të jenë. Gjithsesi, them se ishte një fillim i mbarë i stinorit pranveror", ka përfunduar Afrim Tovërlani.

(Kosova Sot)