< Pakënaqësitë në kulm, PRESIONI PO RRITE - Sport - Kosova Sot
Pakėnaqėsitė nė kulm, PRESIONI PO RRITE

Pakėnaqėsitė nė kulm, PRESIONI PO RRITE

"Ju jeni pisa, ju jeni hajna, marre duhet me ju ardhur". Këto ishin disa nga thirrjet e trajnerit të Vëllaznimit, Ismet Munishit në drejtim të gjyqtarëve të ndeshjes Prishtina - Vëllaznimi, e zhvilluar në Drenas, në kuadër të javës së 9-të të Vala Superligës. Gjatë gjithë ballafaqimit të këtyre dy skuadrave tensionet nuk mungonin, por ajo që u vërejt më së shumti ishin minutat e fundit, ku presioni nga bankina gjakovare arriti kulmin, të cilët dukej se nuk kishin besim në gjyqtarët dhe se humbja po u rrezikohet pikërisht nga ta, gjë e cila edhe mund të thuhet se ndodhi, pasi vërtet te goli i Prishtinës ndikim pati gjyqtari, i cili ishte dashur ta ndalë aksionin e bardhekaltërev më herët për ndërhyrje të palejueshme. "Gjyqtari kryesor vetëm se nuk filloi të luajë sulmues për Prishtinën dhe të shënojë gol", ka thënë Munishi. Që nga fillimi i kampionatit është paralajmëruar se sivjet do të kemi një garë të nxehtë, ku nuk do të mungojnë tensionet, derisa frika më e madhe ishte tek gjyqtarët, të cilët mund të bien nën ndikimin e presionit. Gjë e cila veçse po vërehet, pasi pakënaqësitë në adresë të tyre nuk vijnë vetën nga java e 9-të, por ka kohë që trajnerët ankohen tek ata.

Kërcënon Vëllaznimi

Skuadra gjakovare nuk ka mundur të rrijë duarkryq para asaj që, siç e quan ajo, padrejtësi e turpshme që iu bë nga gjyqtari. Vëllanzimi ka kërkuar ndërhyrje nga FFK-ja, në mënyrë që kampionati të bjerë në binarë, ndryshe gjërat vetëm sa mund të komplikohen. "Dy penallti të paakorduara ndaj Drenicës, një ndaj Llapit dhe një ndaj Trepçës'89, të konfirmuara nga analistë të referimit, por fundi i durimit tonë erdhi në ndeshjen ndaj Prishtinës. Gjyqtari kryesor, Mervan Bejtullahu, nuk e ndali një goditje dënimi për Vëllaznimin, për të dhënë më pas një për Prishtinën në të njëjtin aksion, kur erdhi dhe goli vendimtar. Në çdo ndeshje kryetrajenerin e Vëllaznimit, Ismet Mushin, referët kanë për qëllim që ta largojnë nga bankina. I bëjmë apel Federatës që të ketë kujdes dhe të mos vazhdojë me këtë qasje ndaj klubit tonë, ose në të kundërtën drejtësinë do ta marrim në dorën tonë dhe do të veprojmë siç ju po veproni me ne", thuhet në reagimin e Vëllaznimit, sinjal ky i qartë se "drita e kuqe" është ndezur dhe se e ardhmja mund të sjellë pamje që nuk do të dëshironte askush t'i shohë.

Gjyqtarët mohojnë presionin

Futbolli i Kosovës kohët e fundit është kritikuar ashpër nga analistët për nivelin e ulët të tij e mbi të gjitha për organizimin e dobët. Dhe nëse tash i shtohet edhe problemi i tensionimit dhe parregullsive, atëherë del të jemi në një situatë shumë të keqe. Megjithatë, gjyqtarët mohojnë të kenë presion dhe se gabimet që i kemi parë ditëve të fundit nuk kanë ardhur si shkak i presionit apo parregullsive. Komisioni për gjyqtarë u ka ndalur atyre të komentojnë çfarë- do situate në futbollin tonë. Megjithatë, në kushte anonimiteti për gazetën "Kosova Sot", një gjyqtari i Superligës e ka mohuar çdo mundësi që gjyqtarët po e favorizojnë dike. "Unë kam disa ndeshje që i kam referuar këtë edicion në Vala Superligën e Kosovës dhe me shumë sinqeritet ju them se kurrfarë presioni nuk kam pasur, madje jam ndjerë sikur po referojë në oborrin tim. Jam i bindur që edhe kolegët e mi janë në të njëjtën situatë, kështu që gabimet që i shohim janë njerëzore dhe assesi nuk besoj se bëhen për ta favorizuar dike", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" njëri nga këmishëzinjtë e Superligës. Gjithsesi, këto akuza që po vinë nga trajnerët në adresë të tyre, maksimalisht po ua bëjnë sherrin në adresë të FIFA-s, e cila është pritur ta përzgjedhë edhe një treshe tjetër të gjyqtarëve për arenën ndërkombëtare. "Këto akuza që po na bëhen e që shumica janë pa kurrfarë baze, vetëm e vetëm të mbulohen dështimet e tyre, kanë ndikim direkt edhe në performancën tonë të mundshme në arenën ndërkombëtare, andaj trajnerët duhet ta kenë parasysh se me këto gjëra vetëm po e pengojnë zhvillimin e referimit asgjë më shumë", ka përfunduar gjyqtari kosovar.

(Kosova Sot)

3 orë e 53 minuta më parë