< Plepolli: Trajnerët JOPROFESIONISTË - Sport - Kosova Sot
Plepolli: Trajnerėt JOPROFESIONISTĖ

Plepolli: Trajnerėt JOPROFESIONISTĖ

Gjithsesi, kampionati po duket interesant dhe joshës

"Sa u përket trajnerëve të huaj që po vijnë, ata po duken joprofesionalë, pasi një trajner me ambicie të mëdha vjen me stafin e vet dhe punon në mënyrë profesionale. Kjo nuk po ndodh te ne, dhe mendoj se ata po vijnë vetëm sa për ta marrë lekun", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Arsim Plepolli

Nuk mbahet mend që në futbollin e Kosovës si sivjet të militojnë kaq shumë lojtarë të huaj, por edhe trajnerë. Më shumë se 90 lëvizje janë bërë gjatë afatit kalimtar nëpër klubet tona, të cilat maksimalisht investuan për t'i përforcuar radhët e veta. Këtë herë për dallim nga e kaluara, kur klubet ishin fokusuar vetëm të lojtarët, ato kanë sjellë edhe shumë trajnerë nga jashtë. Liria, Prishtina, Flamurtari e Feronikeli janë ekipe që po udhëhiqen nga trajnerët e huaj. Dy të parat kanë angazhuar trajnerë nga Shqipëria, ndërsa Flamurtari e "Nikli" nga Maqedonia. Mirëpo, çfarë ndryshime sollën në futbollin tonë këto risi. Njohësi i mirë i futbollit kosovar Arsim Plepolli, në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se, përkundër shumë investimeve, niveli i futbollit vazhdon të mbetet atje ku ishte edhe në të kaluarën. Sipas tij, derisa nuk ndërrohet qasja e punës nga drejtuesit e klubeve, vështirë të kemi ngritje të futbollit. "Cilësia është pothuaj e njëjtë me vitet e kaluara. Unë nuk po shoh ndryshime të mëdha, derisa këtë e konfirmon edhe tabela ku të gjitha klubet janë pothuaj të barabarta", ka thënë për "Kosova  Sot", Arsim Plepolli

E mendojnë vetëm lekun

"E pranoj që këtë vit kemi bukur shumë risi, por nuk mund të them se ka ndryshime të theksuara sa i përket nivelit. Unë ndryshime po shoh vetëm nga ana financiare. Sa u përket trajnerëve të huaj që po vijnë, duken joprofesionalë, sepse një trajner me ambicie të mëdha vjen me stafin e vet dhe punon në mënyrë profesionale. Këtu ende nuk kam pa ashtu dhe them se ata po vijnë sa për t'i marrë lekët, por jo edhe të mendojnë për punë afatgjate", ka thënë për "Kosova Sot" Arsim Plepolli, duke folur më pas edhe për cilësi. "Derisa nuk kompletohemi dhe punojmë në mënyrë më profesionale dhe afatgjate do mbesim gjithmonë në të njëjtin nivel", vlerësoi për "Kosova Sot", Plepolli.

Menaxhimi i dobët

Sipas ish- futbollistit prishtinas, i cili pati fatin të ketë një karrierë të bujshme në kampionate të ndryshme evropiane, rol shumë të madh në ngritjen e futbollit kanë drejtuesit e klubit. Ata duhet ta njohin futbollin më mirë, ose atë t'ua lënë në dorë profesionistëve. "Pikërisht për arsye të keqmenaxhimit, kemi shumë ndryshime të trajnerëve. Fatkeqësisht, pak po e njohin futbollin. Vetëm te ne ndodh me një lojë ose dy i bën për vete kryesitë e klubeve. Mbasandaj një lojë si ta humbasin thonë 'jo ky trajner nuk po bëka". Ky është amatorizëm total. As lojtari e as trajneri nuk vlerësohet me dy lojë", ka thënë Plepolli, duke folur më pas edhe për kampionatin. "Janë zhvilluar 10 ndeshje dhe ende nuk kemi një pasqyrë të qartë, madje them se deri në fund të kampionatit vështirë mund ta gjejmë skuadrën favorite. Pra, ky kampionat besoj se do të jetë i barabartë deri në fund", deklaroi për "Kosova Sot", Arsim Plepolli.

(Kosova Sot)

5 orë e 5 minuta më parë