Xherdan Shaqiri mes Borussias dhe Schalke 04

  • 28 July 2015 - 14:32
Xherdan Shaqiri mes Borussias dhe Schalke 04

E ardhmja e Xherdan Shaqirit mbetet në udhëkryq. Një vit më parë, sulmuesi me origjinë shqiptare u përfol për një transferim të mundshëm te Borussia e Dortmundit. Në atë periudhë ishte Jurgen Klopp që e kërkoi me ngulm sulmuesin, por ishte vetë Shaqiri që vendosi veton duke zgjedhur qëndrimin te Bayerni i Mynihut. Kohët kanë ndryshuar por vlerësimin që kanë në klubin e Dortmundit për Shaqirin nuk e kanë ndryshuar sepse edhe trajneri i ri Tomas Tuchel beson se lojtari i lindur në Gjilan mund ta ndihmojë grupin e tij të rritet. Kanë kaluar plot 12 muaj që nga interesimi i parë i Borussias për sulmuesin, i cili me shumë mundësi ka ndryshuar mendim dhe nuk do ta refuzonte një afrim të mundshëm te kjo skuadër. Gjatë orëve të fundit klubi ka dërguar sinjale në Milano për Shaqirin, i cili është jashtë planeve të Roberto Mancinit dhe në këtë mënyrë, Schalke që ishte klubi favorit për ta rikthyer në Gjermani, del në plan të dytë. “Minatorët” duhet të luajnë një tjetër derbi të Ruhrit për të afruar talentin me origjinë shqiptare pasi Borussia Dortmund ka gati një ofertë të kënaqshme për INterin. Gara bëhet interesante dhe në këtë pikë është lojtari ai që mund të marrë vendimin përfundimtar, pasi një gjë të tillë e bëri edhe kur Stoke City paraqiti një ofertë bindëse për INterin por Shaqiri bllokoi gjithçka. Zikaltërit kërkojnë jo më pak se 15 milionë Euro, por ankandi mes dy skuadrave gjermane mbetet i hapur dhe ditët në vijim do të jenë vërtet të nxehta për 23-vjeçarin e kombëtares zviceriane.