Kosova stërvitet në një atmosferë të ftohtë

  • 10 November 2017 - 09:24
Kosova stërvitet në një atmosferë të ftohtë

P ërfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka zhvilluar dje stërvitjen e parë për ndeshjen miqë- sore të së hënës, kur ndeshën me Letoninë në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë. Atmosfera tek futbollistët e Kosovës dukej e mirë, edhe pse ata për herë të parë pas pranimit në arenën ndërkombëtare udhëhiqeshin nga një trajner tjetër. Largimi i Albert Bunjakit ka bërë që Kosova të bjerë në duart e Muharrem Sahitit. Gjithsesi, punën e tij më të lehtë e bënte fakti se ai nuk ishte i panjohur për lojtarët, pasi ishte ndihmësi i parë i Bunjakit gjatë gjithë kohës dhe nga afër i njeh futbollistët. Mirëpo, ajo që më së shumti shqetëson janë kushtet e punës. Stadiumi "Rexhep Rexhepi" në Drenas ofron njërën nga fushat më të mira në Kosovë, por duhet pranuar që as ai nuk është optimal. Stafi teknik i Kosovës edhe më herët ka shprehur shqetësimin për kushtet aspak të favorshme ku punojnë, por ja që institucionet vazhdojnë t'i injorojnë duke mos u krijuar kushte të mira për punë yjeve tanë që vijnë nga kampionatet ku infrastruktura është e jashtëzakonshme. Se sa mund të ndikojë në motivin e këtyre futbollistëve kjo injorancë e institucioneve mbetet të shihet të hënën kur edhe dalin në fushë për t'u ndeshur me Letoninë.

Probleme të mëdha

Taulant Dajaku, problemi i Përfaqësueses së Kosovës nuk është vetëm fusha, pasi, sipas tij, problemet e theksuara janë te organizimi. "Mendoj se problematika e përfaqësueses është me e thellë sesa kushtet e fushave ku stërviten. Ta zëmë U21 stërviten në fushën "Adem Jashari", ku edhe do të luajnë, edhe ekipi A stërvit në një fushë si të Drenasit që për stërvitje është e mjaftueshme. Mirëpo, problemi ynë në ekipet e përfaqësueseve është organizimi më i thellë edhe duke qenë se jemi të rinj në këtë aspekt ne nuk duhet të deklarojmë pritshmëri të mëdha. Ne thjesht duhet të mësojmë nga koha që po e kalojmë si pjesëmarrës të kompeticioneve ndërkombëtare", ka thënë Dajaku, i cili e pranon se institucionet fare nuk po shqetësohen për sportin, madje sipas tij këto institucione nuk po shqetësohen për asgjë jo vetëm për sportin. "Shteti nuk po e çan kokën për asgjë në këtë vend e lëre më për sport. Kjo është tragjike. Ne nuk kemi shumë gjëra esenciale për jetët tona, prandaj nuk duhet të presim se në sport do jemi kampion. Nuk thonë kotë 'kur se ke barkun plot nuk mund të mendosh për gjëra të tjera'", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", shumë i zhgënjyer, Taulant Dajaku

Interesim i vogël

Sa i përket stërvitjes së djeshme, një fakt tjetër shqetësues ishte interesimi i publikut. Përkundër se ndeshja me Letoninë është cilësuar si një përballje shumë e rëndësishme për Kosovën, pasi zhvillohet në vendin tonë pas një mungese për 2 vjet e gjysmë, interesimi për ta ndjekur stërvitjen e parë dhe për të qenë afër yjeve të Kosovës ka qenë tejet i zbehtë. Një numër i vogël shikuesish ishin mbledhur në shkallët e stadiumit "Rexhep Rexhepi" për ta parë nga afër punën e lojtarëve. Sa i përket stërvitjes, përzgjedhësi i Kosovës, Muharrem Sahiti, nuk i ka ngarkuar shumë lojtarët, duke zhvilluar një stërvitje të lehtë, derisa pozitive nga gjithë kjo ishte lajmi nga stafit mjekësor, i cili konstatoi se të gjithë futbollistët fizikisht janë mirë dhe tash për tash asnjë nuk rrezikon të mos luajë në ndeshjen ndaj Letonisë. Njëri nga futbollistët e vetëm të Superligës së Kosovës që është ftuar në përfaqësuese (përjashto dy portierët), Armend Thaqi, ka thënë se është diçka e jashtëzakonshme të jesh pjesë e Përfaqësueses derisa atmosferën në ekip e ka përshkruar si shumë të mirë. Ai beson fuqishëm se të hënën adhuruesit e futbollit do të kenë rastin të shohin një ndeshje shumë të mirë me shpresë se edhe do të shënojnë fitore.

(Kosova Sot)