Vendorët e suksesshëm të Pejës

  • 10 November 2017 - 09:28
Vendorët e suksesshëm të Pejës

Pavarësisht shumë problemeve dhe vështirësive, skuadra e Pejës është paraqitur mjaft mirë në këtë edicion në IP Superligën e Kosovës në basketboll. Pejanët filluan stërvitje vetëm një javë para se të nisnin garat, kurse nuk kanë bërë asnjë përforcim, as vendor dhe as të huaj, për shkak të krizës financiare, si dhe dënimit nga FIBA. Gjithashtu, edhe disa lojtarë me përvojë u larguan nga skuadra verdhezi, pikërisht për shkak të problemeve financiare.

Lojëra mjaft të mira

Përkundër të gjitha këtyre problemeve, Peja në tetë ndeshjet e zhvilluara deri më tani ka shënuar katër fitore dhe ka pësuar katër humbje, ku momentalisht renditet në vendin e pestë në tabelë me 12 pikë. Verdhezinjtë janë paraqitur vetëm me lojtarë të rinj. Njëri nga basketbollistët më të dalluar të kësaj skuadre është Leonard Mekaj. Ai thekson se përkundër problemeve janë paraqitur mjaft mirë. "Ne jemi duke luajtur me një rotacion shumë të shkurtë me pesë lojtarë, si dhe gjysma tjetër e ekipit janë juniorë të rinj, 16-17 vjeç, por deri më tani kemi arritur katër fitore. Kemi treguar lojëra mjaft të mira deri më tani, duke marrë parasysh ekipit që kemi", ka thënë Leonard Mekaj për gazetën "Kosova Sot". Mekaj luan edhe për Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll, derisa ka luajtur edhe për Sigal Prishtinën. Nga kriza financiare që ka kapluar shumë klube të basketbollit më së shumti kanë përfituar basketbollistët e rinj vendorë, që në të kaluarën nuk kanë pasur shumë hapësirë, derisa tani po dëshmojnë aftësitë e tyre dhe po tregojnë që kur kanë më shumë minuta në parket, janë shumë më të mirë dhe premtojnë në të ardhmen.

Munden edhe më mirë

Peja, përveç të gjitha problemeve, në ekip, shumica e lojtarëve janë të shkurtë dhe nuk kanë lojtarë të pozitës qendër dhe alo qendër. Por, Mekaj thotë se deri më tani i kanë mbuluar shumë mirë këto dy pozita. "Duke marrë parasysh se nuk kemi lojtarë të pozitës 4 dhe 5, pra jemi të gjithë lojtarë të shkurtë, po improvizojmë ato pozita dhe po mundohemi t'i mbulojmë mangësitë që i kemi, dhe deri më tani ia kemi dalë me shumë sukses. Kemi arritur t'i mbulojmë mjaft mirë këto dy pozita", ka shtuar tutje Leonard Mekaj për gazetën "Kosova Sot". Edhe pse kanë fondin shumë të varfër të ekipit dhe nuk mund të bëjnë transferime, pejanët mund të bëjnë shumë më shumë. "Mendoj se mundemi edhe më mirë të luajmë. Jemi një grup i vogël, por i mirë i lojtarëve, të cilët janë të etur për të treguar suksese dhe për të treguar lojëra të mira. Besoj që në vazhdim të garave do të tregojmë lojëra edhe më të mira", ka përfunduar Leonard Mekaj për gazetën "Kosova Sot". Peja ka mundur dy herë Trepçën këtë edicion, një herë Borean dhe një herë Kerasan Prishtinën, kurse janë mundur nga Sigal Prishtina, Bashkimi, Golden Eagle Ylli dhe Rahoveci. Në fundjavë Peja do të jetë mysafire e Sigal Prishtinës, por më nuk shihet si derbi, për shkak të dallimit të madh ndërmjet dy skuadrave. Bardhekaltrit nuk po kanë konkurrencë këtë edicion në garat vendore

(Kosova Sot)