Plepolli: Prishtina, ME DY FYTYRA

  • 20 November 2017 - 09:54
Plepolli: Prishtina, ME DY FYTYRA

KLUBI MË I TROFESHËM NË VEND NUK PO E GJEN QETËSINË

Pas pesë ndeshjeve të mira që bëri trajnerin Mirel Josa me Prishtinën, u duke se problemet që kishte në fillim të kampionatit kanë marrë fund. Mirëpo, dy humbjet në dy ndeshjet e fundit sikur u dëshmua se problemet e skuadrës bardhekaltër janë aty dhe se ato fare nuk janë tejkaluar. Se pse po ndodh kjo me skuadrën më të madhe në vend dyshimet janë të mëdha. Kryesia e klubit është e qartë se nuk është e kompletuar sa i përket bashkëpunimit të ndërsjellë, kjo u dëshmua me një reagim të aksionarit kryesor të klubit Rrahman Haradini, i cili akuzoi pjesën tjetër të aksionarëve se nuk po punojnë në të mirë të klubit. Në anën tjetër edhe tifozët duket se nuk i kanë punët hiq mirë me drejtuesit e klubit dhe këtyre kur t'ia shtosh problemin e shtëpisë, pasi Prishtina tash e 2 vjet pothuaj është pa shtëpi të veten, nuk ka se si të jetë ndryshe. Mirëpo, sipas analistit të njohur kosovar, Arsim Plepolli, problemi kryesor te Prishtina është se trajneri i ri, Mirel Josa, nuk ka shumë njohuri për ligën e Kosovës dhe ai ka nevojë të njoftohet më shumë për kundërshtarët që ka. Gjithsesi, skuadra më e trofeshme në vend, Prishtina, është shumë afër vendit të parë dhe dallimi në pikë është vetëm dy sosh, megjithatë paraqitja e saj lë shumë për të dëshiruar dhe nëse vazhdon kështu shumë pak besojnë se ajo në fund do të t'i kurorëzojë me sukses objektivat e veta.

Paralajmërohen ndryshime

Menjëherë pas ndeshjes me Drenicën ku Prishtina pësoi humbje me rezultat 2:0, kampi bardhekaltër u duk shumë i tensionuar, edhe pse në raport me opinionin gjërat dukeshin të qeta. Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, sikur paralajmëroi se pas përfundimit të stinorit vjeshtor, gjatë afatit kalimtar të dimrit, do të kërkojë nga kryesia ndryshime në ekip, pasi gjërat nuk po shkojnë si dëshiroi ai dhe mbetet të shihet se çfarë ndryshime do të ketë. Një është e sigurt, kjo Prishtinë me këtë ritëm që ka tash për tash do ta ketë shumë vështirë të kap atë që po e kërkon, pra titullin e kampionit dhe daljen në arenën ndërkombëtare. Sipas njohësit të mirë të futbollit kosovar, Arsim Plepolli, Prishtina deri tash është një lloj fenomeni pasi një ndeshje tregon lojë të mirë, tjetër bie krejtësisht."Prishtina po tregohet ekip me dy fytyra. Të gjithë presim ngritje dhe kur duhet më së shumti ajo çalon. Mendoj se Josa nuk e njeh mirë Ligën e sidomos ekipet kundërshtarë dhe unë mendoj se këtu edhe qëndron problemi i Prishtinës", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Arsim Plepolli.  

Image

Tensionet po rriten 

Java e 15-të, përveç telasheve të mëdha që i ka qitë në pah Prishtinës, ka sjellë bukur shumë tension edhe tek ndeshjet tjera. Llapi pas përfundimit të ndeshjes me Feronikelit e cila u mbyll pa fitues, ka dërguar akuza të rënda në adresë të gjyqtarëve, derisa të njëjtën gjë e ka bërë edhe Liria e cila u mposht nga Drita. Këto sikur janë sinjale se gara ka nisur të nxehet dhe analistët shohin një kampionat shumë të paparashikuar."Them të drejtën është një ligë shumë e paparashikuar. Ekipet janë thuajse të njëjta nga rivaliteti ku po tregojnë edhe rezultatet, 1 lojë fiton 2 i humbë, pra nuk ka stabilitet në ekipe, nuk ka ekipe që po luan mirë dhe është favorite vazhdimisht. Me një fjalë po del të jetë një lig interesante dhe besoj se kështu do të jetë deri në fund", ka thënë për "Kosova Sot" Arsim Plepolli.

Dështoi Llapi

"Përballja ndërmjet Llapit e Feronikelit ishte një derbi dhe një lojë e paparashikuar, por kom pritur që Llapi t'i arkëtojë pikët e plota, kjo pasi ishte vendas, por ja që Feronikelit tani u është kthyer lojërave të mira dhe kjo do të t'u sjellë telashe ekipeve tjera", ka thënë Plepolli, duke e komentuar edhe njërën nga sfidat më të nxehta që u luajt në Gjilan, ndërmjet Dritës e Lirisë."Prej Dritës gjithë kemi pritur më shumë, por nuk po tregon që është favorite kryesor për titull edhe pse ka lojtarë cilësorë në ekip", tha Plepolli, i cili vazhdon të mbetet i zhgënjyer me situatën e trajnerëve."Kjo që po ndodh me trajnerët nuk do koment. Nuk është aspak profesionale kjo që po ndodh tek ne me trajnerët, por prapë klubet i dinë punët e veta dhe të veprojnë si duan", ka përfunduar Arsim Plepolli.

(Kosova Sot)