Prishtina dhe Superliga humbasin me largimin e Berishës - Sport - Kosova Sot
Prishtina dhe Superliga humbasin me largimin e Berishės

Prishtina dhe Superliga humbasin me largimin e Berishės

DARDAN BERISHA VENDOSI TË LARGOHET DREJT ÇEKISË 

Debuton me fitore në skuadrën çeke 

Superliga e Kosovës në basketboll është vlerësuar nga analistët e ndryshëm si më e dobëta në vitet e fundit, madje, edhe në dekadën e fundit. Kjo ka ardhur si pasojë e problemeve të skuadrave, derisa ka pasur më pak përforcime se në vitet e fundit. Gjithashtu edhe në garat ndërkombëtare nuk kanë arritur suksese. Ndërkohë, basketbollisti më i mirë në Kosovë, Dardan Berisha vendosi të largohet drejt Çekisë. Kjo vlerësohet si humbje e madhe për klubin e Sigal Prishtinës, si dhe elitën e basketbollit të Kosovës. Dardani ka luajtur edhe në Itali, në Spanjë, në Poloni e në Kroaci, dhe padyshim ishte lojtari më i mirë në Superligën e Kosovës në basketboll.

Model për fëmijët

Berisha ka nënshkruar kontratë me skuadrën çeke, Nymburk, dhe menjëherë ka debutuar me fitore, duke lënë gjurmë. Ai luajti për 23 minuta, duke shënuar 11 pikë, pesë asistime dhe një kërcim. Ish-basketbollisti  i njohur, Valentin Spaqi, ka thënë se bardhekaltrit tani do të kenë shumë më vështirë. "Dardani në përgjithësi është i rëndësishëm, si për Prishtinën, ashtu edhe për basketbollin e Kosovës, pasi çdo fëmijë ëndërron të jetë sikur ai, sepse është një model për basketbollin tonë, edhe ashtu shumë të varfër me kuadro vendore. Gjithmonë kam thënë se Prishtina me Dardanin është komplet ekip tjetër, sepse Berisha është lojtar lider i Prishtinës. Atij i dëshiroj suksese në klubin e ri, dhe besoj se do të ketë paraqitje shumë të mira, ashtu siç kishte edhe në Itali, si dhe në klubet ku ka luajtur", është shprehur Valentin Spaqi, trajner i Don Boskos, për gazetën "Kosova Sot". Berisha filloi karrierën në Pejë për t'u larguar në Poloni. Më pas sërish u rikthye te verdhezinjtë, duke ia siguruar titullin pas një dekade, kurse më pas kaloi te Sigla Prishtina, duke fituar titullin dhe Kupën me prishtinasit, si dhe dy herë fitoi Ligën Ballkanike me skuadrën prishtinase, që ishte historike për basketbollin e Kosovës, si dhe u shpall edhe lojtari më i mirë i edicionit në BIBL, për të dëshmuar se është njëri nga basketbollistët më të mirë kosovarë. Ai gjithashtu ka luajtur në Kampionatin Evropian më 2011 me Poloninë, kurse tani është lider i Kosovës.

Do të vërehet largimi i tij

Megjithatë, me largimin e Berishës nuk humb vetëm Prishtina, por edhe elita e basketbollit të Kosovës. Spaqi thotë se u largua lojtari më i mirë në vend. "Përveç Sigal Prishtinës do të humbë shumë edhe Superliga e Kosovës në basketboll, sepse është larguar lojtari më i mirë i kësaj lige. Ky edicion po kalon me shumë probleme, dhe dallon shumë nga ata të viteve të mëparshme, kurse me largimin e Dardanit, humb edhe një lojtar shumë të mirë. Besoj se largimi i tij do të ketë ndikim, dhe kjo do të vërehet në vazhdim të garave", ka theksuar tutje Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Berisha ka falënderuar të gjithë për përkrahje të deritanishme, derisa filloi një aventurë të re në karrierën e bujshme, ku ka fituar shumë trofe, me klube dhe individuale.

(Kosova Sot)

12 orë e 13 minuta më parë
18/01/18
aaaaaaaa