Ja çfarë rrezikon Kukësi

  • 31 July 2015 - 13:50
 Ja çfarë rrezikon Kukësi

Me aventurën europiane praktikisht të përfunduar për këtë edicion, Kukësit i mbetet vetëm të shpresojë në një ndëshkim pa pasoja afatgjata nga organet disiplinore të UEFA-s. Sanksionet e organizimit europian janë të pashmangshme dhe ato mund të variojnë jo pak nga njëri tjetri.
Me ndeshjen e ndërprerë përballë Legias së Varshavës, fati i takimit në Tiranë tashmë duket i vulosur, fitore 3-0 në tavolinë në favor të polakëve pasi Kukësi si klub organizator mban përgjegjësi për gurin e hedhur, edhe pse ky ishte veprim individual i dikujt që vetëm tifoz i Kukësit nuk mund të jetë, e paevitueshme në këtë rast edhe një gjobë e majme financiare, por pasojat për Kukësin mund të jenë edhe më të rënda.
Me ndeshjen e deklaruar të ndërprerë Komisioni Disiplinor i UEFA-s mund të vendosë edhe përjashtimin e skuadrës nga Europa League për këtë sezon duke e mbyllur menjëherë, pa u luajtur ndeshja e kthimit në Varshavë rrugëtimin kontinental të Kukësit.
Skenari më i keq i mundshëm, edhe pse ka gjasa minimale për tu konkretizuar mund të jetë edhe një përjashtim i skuadrës nga 1 deri në 3 vjet nga kompeticionet europiane, sanksion ky që merret zakonisht kur një skuadër është recidive, pra përsëritëse në akte të tilla të huliganizmit të shfaqur nga tifozët e saj, transmeton supersport.
Vlen të kujtohet se ashpërsia e ndëshkimeve do të varet edhe nga relacioni i përpiluar nga zyrtarët e Uefa-s në lidhje me ndeshjen, por e sigurt është se tashmë Kukësit nga shpresat e mëdha i mbetet vetëm të kufizojë sa më tepër dëmet nga ai gjest i turpshëm në "Qemal Stafa".
Në faqen e saj zyrtare në internet, klubi i Legias ka nxjerrë këtë njoftim:
"Legia e Varshavës informon sot se do të jetë subjekt i Komisionit Disiplinor dhe Etikës pranë UEFA-s në lidhje me ngjarjet që ndodhën në ndeshjen e raundit të tretë kualifikues të “Europa League”, luajtur mes Kukësit dhe Legias së Varshavës më 30 korrik 2015, në Tiranë. Vendimi i komisioneve përkatëse disiplinore të UEFA-s për këtë çështje do të bëhet i ditur për klubet ditën e hënë, më 3 gusht 2015. Në pritje të marrjes së vendimit, klubi nuk e pezullon shitjen e biletave për ndeshjen e kthimit ndaj Kukësit, e planifikuar të luhet të enjten, më 6 gusht 2015 në orën 21:00".