Iniesta: Privilegj të luash përkrah Messit

  • 01 August 2015 - 11:58
Iniesta: Privilegj të luash përkrah Messit

“Të luash përkrah Messit është një privilegj”. Këtë nuk e thotë një lojtar i zakonshëm por një prej mesfushorëve më të mirë të futbollit botëror, Andres Iniesta. Lojtari katalanas e pranon se argjentinasi ka talent mbinormal dhe shpreson që të vazhdojë të luajë me numrin 10 përkrhaj tij edhe gjatë viteve të ardhshme. I konsideruar si një nga strategët e futbollit tiki-taka, mesfushori që i dhuroi Spanjës Kupën e Botës në vitin 2010 shton se ka qenë me fat që kulmin e karrierës e ka kaluar përkrah një lojtari si Messi.

“Kemi kaluar shumë situata bashkë dhe e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Po bashkëjetojmë prej shumë vitesh në të njëjtën skuadër dhe kjo më bën të ndihem edhe më i lumtur. Është një privilegj që luaj përkrah tij dhe mendoj se me këtë kam thënë gjithçka sepse Leo është një njeri i veçantë dhe rëndësi ka që unë të vazhdoj të luaj përkrah tij edhe për shumë vite të tjerë”.

Në vijim ai shton se kriza e rezultateve në mesin e sezonit dhe zërat për një largim të Luis Enriques që në Janar, e forcuan më shumë grupin dhe ndikuan në triumfin final ku Barcelona arriti të dilte fitimtare në tre fronte.

“Kur gjerat shkojnë në drejtimin e gabuar atëherë situata komplikohet, ndërsa kur ke harmoni është më e lehtë. Por ne i kemi kaluar të gjitha këto momente dhe jemi përballur me çdo situatë, prandaj kemi arritur t’ia dalim mbanë”.