Problemet e sportistëve

  • 28 December 2017 - 10:59
Problemet e sportistëve

VITI 2017 PËRMBYLLET ME SHUMË PROBLEME

Infrastruktura sportive, shumë e dobët në Kosovë

Viti 2017 po përmbyllet me shumë probleme në sportin kosovar. Klubet u ballafaquan me shumë probleme, sidomos infrastrukturore dhe financiare, derisa gjithashtu munguan rezultatet pozitive në garat ndërkombëtare. Në këto kushte, klubet përballen çdo ditë me shumë probleme, derisa nga kjo pësojnë edhe sportistët, që në shumë raste detyrohen të punojnë edhe punë të tjera për të mbijetuar
Në vitin që po e lëmë pas, klubet dhe sportistët në Kosovë janë ballafaquar me shumë probleme. Ndër problemet kryesore ishin infrastruktura e dobët dhe problemet financiare. Kjo ka pasur pasoja edhe në rezultatet në garat ndërkombëtare, ku këtë vit skuadrat nuk kanë qenë shumë të suksesshme, si në futboll, basketboll, hendboll dhe volejboll. Klubet po përballen me shumë probleme, dhe e kanë vështirë të mbijetojnë, derisa nga kjo vuajnë edhe sportistët që marrin paga të vogla, nuk kanë kontrata, nuk ka sigurime shëndetë- sore dhe shumë prej tyre punojnë edhe punë të tjera për të mbijetuar.

Objektet shumë të vjetra 

Trajneri shumëvjeçar i volejbollit, Naser Krasniqi, është shprehur se infrastruktura është një problem i madh në sportin e Kosovës. "Problemi i sporteve me dorë në përgjithësi është infrastruktura e dobët sportive. Përveç mungesës së mjaftueshme infrastrukturore, edhe objektet që janë trashëguar janë shumë të vjetra dhe nuk i plotësojnë kushtet për gara, kurse edhe ato që po ndërtohen të reja ose që po rinovohen kanë shumë mangësi. Pasi sportet me dorë luhen kryesisht gjatë dimrit, atëherë palestrat duhet të jenë të nxehta, derisa gjatë verës të kenë klimë, në mënyrë që të ketë kushte optimale për të zhvilluar stërvitjet dhe ndeshjet, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare. Por, fatkeqësisht palestrat tona nuk plotësojnë asnjërin kusht. As për verë as për dimër. Edhe në Prishtinë që janë dy palestra, asnjëherë nuk i plotëson të gjitha kushtet dhe klubet përballen me shumë probleme. Në përgjithësi, në tërë Kosovën, palestrat janë shumë të ftohta dhe nuk i plotësojnë kushtet. Sigurisht se kjo sjell edhe probleme tjera. Klubet ia dalin të mbijetojnë vetëm falë dëshirës së madhe për punë. Shpresojmë që në vitet e ardhshme, kjo çështje do të rregullohet dhe klubet e sportistët të mos ballafaqohen me këso probleme", është shprehur Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

Palestrat nuk mirëmbahen 

Edhe palestrat që janë ndërtuar ose janë rinovuar nuk janë mirëmbajtur sa duhet dhe pasojat i vuajnë klubet. "Palestrat në Kosovë janë në gjendje të rëndë. Shumica prej tyre. Kjo ndodh edhe në kryeqytet, ku ka shumë klube dhe shumë aktivitete. Ne nuk kemi bërë asnjë hap para. Ne edhe si shoqëri nuk kemi të drejt të kërkojmë rezultate pozitive në garat ndërkombëtare, pasi nuk kemi bërë asgjë për plotësimin e kushteve. Asnjë palestër në Kosovë nuk ka ngrohje gjatë dimrit. Edhe ato që janë ndërtuar ose rinovuar nuk janë menaxhuar mirë dhe pas një kohe të shkurtë janë shkatërruar. Qasja duhet të jetë ndryshe. Këto palestra duhet të mirëmbahen. Për shembull në Prishtinë duhet të kemi edhe dy palestra tjera për t'i përmbushur kërkesat e sportistëve", ka përfunduar Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Ky vit do të mbahet mend si i shumë probleme, si për klube, ashtu edhe për sportistë, kurse rezultatet nga garat ndërkombëtare nuk ishin të kënaqshme në sportet ekipore. 

(Kosova Sot)