Serio Ramos, brenda javës rinovimi i kontratës

  • 03 August 2015 - 12:03
Serio Ramos, brenda javës rinovimi i kontratës

Goditjet e mëdha të Realit në merkaton e kësaj vere kanë munguar sepse grupi është i plotë dhe klubi po punon për të siguruar vashdimësinë e ekipit aktual. Një nga çështjet më të nxehta mbetet ajo e mbrojtësit Sergio Ramos, i cili nuk ka rinovuar ende duke mbajtur të hapur derën për Manchester United edhe pse pak ditë më parë ai zhvilloi një takim me presidentin Florentino Perez të cilit i premtoi se do të vazhdojë të mbetet “Los Blancos”. Sipas të përditshmes “AS”, kapiteni që mori shiritin pas largimit të Casillas, mund të hedhë firmën në kontratën e re brenda kësaj jave por nuk përjashtohen surprizat e minutave të fundit. Ai do të udhëtojë me skuadrën drejt Mynihut për Kupën Audi.

Reali ka në plan t’i propozojë 7 milionë Euro në sezon nga 6 që ai arkëton aktualisht me një klauzolë largimi 200 milionë Euro. Agjenti i mbrojtësit nuk ka dhënë ende një përgjigje pasi Manchester United ka bërë një ofertë faraonike, rreth 5 milionë Euro më shumë se klubi spanjoll. Gjithsesi, Perez mbetet optimist sepse ka në krahun e tij lojtarin që dëshiron të mbetet në Madrid ku është shumë i lidhur me ambjentin dhe ndihet një lider në grupin aktual.  Gjatë fazës përgatitore, Ramos është aktivizuar në 4 takime si titullar me 202 minuta në total, duke marrë sinjale të rëndësishme edhe nga trajneri Rafael Benitez, i cili e konsideron si një element shumë të rëndësishëm për skuadrën. “Ramos është një kampion i madh dhe do të qëndrojë me ne”, siguroi tekniku spanjoll pas miqësores me Manchester City-n. Një deklaratë kjo që ndezi dritën jeshile për nisjen e bisedimeve që pritet të kulmojnë këtë javë me firmën e shumëpritur nga tifozët madrilenë.