Skënderbeu përgatit “festën”

  • 03 August 2015 - 18:35
Skënderbeu përgatit “festën”

Skënderbeu është duke u përgatitur në të gjitha frontet për ndeshjen me Milsamin. Në një kohë kur ekipi nën drejtimin e Josës përgatitet për betejën në fushën e blertë ku i duhet të sigurojë kualifikimin pas fitores 2-0 në transfertë, një rëndësi po kaq e madhe është duke ju dhënë dhe aspektit organizativ. Pas precedentit të hidhur të Kukësit klubi po merr të gjitha masat që gjithchka të shkojë në rregull. Këtë të martë drejtuesit e klubit dhe përfaqësues të kompanisë private të sigurisë kanë bërë inspektimin e “Elbasan Arenës” ku do të luhet të mërkurën mbrëma ndeshja me moldavët duke koordinuar dhe punën për mbarëvajtjen e takimit. Shefi i klubit Iirjan Përmeti i bën thirrje tifozerisë për të mbështetur skuadrën duke evituar cdo veprim që mund ta dënojë atë.

“Ju bëj thirrje tifozëve dhe sportadashësve që do të jenë në “Elbasan Arena” për t’u distancuar nga dhuna, nga të gjitha parrullat apo thirrjet politike apo raciste sepse jemi në një moment historik që nuk përfshin vetëm Skënderbeun por në rang kombëtar, dhe duhet të tregojmë vlerat kulturore dhe qytetari, për të treguar se sic po rritemi vit pas viti jemi gati për të hyrë në Europë si komb dhe si qytet”.

Shefi i klubit të Skënderbeut konfirmon interesimin e madh të tifozëve duke i ftuar të gjithë shqiptarët që të mbështesin Skënderbeun në këtë moment historik.

“Ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm për bileta, kemi patur mbështetje nga të gjithë dhe nuk ka rëndësi nëse luajmë në Korcë apo në Elbasan, unë i ftoj të gjithë nga gjithë Shqipëria të mbështesim Skënderbeun pasi është hera e parë që një ekip i yni është para një momenti të tillë”.

Përfaqësuesi i shoqërisë private që do të garantojë sigurinë , Ervis Hila bëri të ditur se për këtë ndeshje janë duke u marrë të gjitha masat si për një takim të nivelit të lartë ndërkombëtar. Deri më tani janë angazhuar 120 stjuartë, numër ky që mund të rritet në varësi të spektatorëve që do të jenë në stadium. Hila paralajmëroi për kontrolle të rrepta të tifozëve që do të hyjnë në “Elbasabn Arena” duke dhënë dhe informacione të dobishme për ta.

“Do të ketë kontrolle të përpikta në hyrje të stadiumit. Nuk do të lejohen cakmaqet, flamujt me shkop, pasqyrat e tualetit për zonjat apo buzëkuqet. Duke qenë që luhet në “Elbasan Arena” ku janë të gjitha komoditete, tualetet apo vendet e shitjes së pijeve nuk ka nevojë për t’u futur gjëra nga jashtë. Gjithashtu i ftoj tifozët që të prezantohen në stadium më herët pasi kontrollet do të jenë të gjata”.

Skënderbeu-Milsam do të luhet të mërkurën në orën 20:45 dhe për të gjitha ata që s’do të kenë mundësinë të jenë prezent një poltronë në radhën e parë të “Elbasan Arenës” ua ofron në shtëpinë e tyre Supersport që do të përcjellë drejtëpërdrejt emocionet e këtij takimi historik.