Dështimi i Kosovës

  • 17 January 2018 - 08:50
Dështimi i Kosovës

TRI HUMBJE NË TRI NDESHJET KUALIFIKUESE 

Superliga e dobët po ndikon edhe në Përfaqësuese

Kosova regjistroi tri humbje nga tri ndeshje të zhvilluara në kualifikimet e Kampionatit Botëror. Hendbollistët kosovarë pësuan humbje nga Polonia me rezultat 30:19, pastaj nga Portugalia 36:22, si dhe në fund nga Qipro, që ishte e papritur me rezultat 24:22. Sidomos humbja nga Qiproja ishte e befasishme duke marrë parasysh se qipriotët kishin humbur dy sfidat e para, 47:16 nga Portugalia, pastaj 46:13 nga Polonia. Gjithashtu edhe synimi i Përfaqësueses ishte së paku një fitore (ndaj Qipros), si dhe paraqitje të dinjitetshme ndaj portugezëve. 

Produkt i Ligës së dobët

Ish-hendbollisti i njohur, Alban Dobroshi, ka theksuar se Superliga e dobët ka sjellë pasoja edhe në Përfaqësuesen e Kosovës. "Kosova nuk ka kapacitet më të madh për të dhënë, kaq mundet dhe kaq është duke bërë. Këtë që po e them unë, e dëshmojnë edhe paraqitjet në arenën ndërkombëtare. Këto rezultate janë produkt i ligës së dobët, që është aktualisht në Kosovë. Kosova ka dështuar në secilin aspekt në këto tri ndeshje. Kur Superliga nuk është cilësore, atëherë edhe paraqitjet nuk janë në nivelin e dëshiruar", është shprehur Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Djelmoshat kosovarë kishin paraqitje të shkëlqyeshme në pjesën e parë ndaj Polonisë, por, kjo mbeti pika më e ndritur nga këto tri ndeshje të zhvilluara në Portugali. Dëshpërimi më i madh ishte humbja nga Qipro, ku pjesa e parë përfundoi 14:14, kurse në fund qipriotët fituan me dy gola dallim (24:22). Edhe fillimi i ndeshjes me Portugalinë premtoi shumë, megjithatë më pas portugezët morën lojën në dorë dhe dominuan, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, kurse në fund triumfoi 36:22.

Humbje dëshpëruese me Qipron

Dobroshi ka analizuar edhe tri ndeshjet e Kosovës në këto kualifikime. Ai thekson se humbja nga Qipro ka treguar se në çfarë niveli jemi. "Përfaqësuesja e Polonisë kundër ekipit tonë ka luajtur me gjysmë kapaciteti, e në anën tjetër, portugezët arritën ta mposhtin Kosovën lehtësisht, kurse dështimi më i madh ka qenë humbja nga Qiproja, gjë që tregon se në çfarë niveli jemi. Kosovës i duhet shumë, shumë punë për të ardhmen për të pasur sukses. Kur nuk ka koncept të lojës dhe kur bën gabime në pranim të topit dhe nuk ke përgatitje, dhe sidomos një ligë të fortë, atëherë, çka mund të presim më tepër prej tyre", ka deklaruar Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". I dëshpëruar për humbjen e fundit ishte edhe përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani. "Zhgënjim i madh. Tri herë patëm mundësi t'i ikim Qipros, tri herë i lejuam të kthehen në lojë. Synimi ynë ka qenë fitorja dhe kemi besuar në të. Kemi bërë më shumë se 20 gabime teknike dhe kemi humbur gjuajte një kundër një, si edhe penallti. Këto gabime gjithnjë janë dënuar. Por, edhe lodhja fizike ka pasur një ndikim në disa lojtarë. Investuam një mundim shumë të madh në lojën kundër Polonisë dhe në atë kundër Portugalisë dhe nuk mundëm të rikuperohemi mjaftueshëm. Kemi dëshmuar se mund të luajmë në nivel më të lartë se me atë që luajmë javë për javë nëpër klube, por jo që mund të mbajmë këtë nivel për tërësinë e lojës dhe sidomos jo në tërësinë e një kampionati intensiv siç ishte ky", ka thënë përzgjedhësi Taip Ramadani, raporton faqja e Federatës së Hendbollit të Kosovës.

(Kosova Sot)