Synimet e Trepçës

  • 19 January 2018 - 09:42
Synimet e Trepçës

MITROVICASIT RRITIN AMBICIET PËR PRANVERË

Presin përkrahjen e 'Torcidës' 

Skuadra e Trepçës ka rikthyer lojtarët vendorë, si dhe ka marrë tri përforcime të huaja, duke rritur ambiciet për stinorin pranveror. Basketbollisti mitrovicas, Samir Zekiqi ka theksuar se shpresojnë të tregojnë lojëra të mira dhe të rikthejnë klubin aty ku e ka pasur vendin, derisa presin përkrahjen të 'Torcidës'

Njëri nga klubet më me traditë në vendin tonë është Trepça. Klubi mitrovicas në vitet e fundit është ballafaquar me shumë probleme, derisa probleme edhe më të theksuara kishte në vjeshtë, ku u larguan disa nga lojtarët vendorë dhe ishte në pikëpyetje nëse do të garonte këtë edicion. Megjithatë, skuadra mitrovicase ka rikthyer vendorët dhe ka marrë tre basketbollistë të huaj, me shpresë se do të kthehet aty ku e ka vendin, në "play-off". Për këtë arsye janë rritur edhe synimet e tyre, duke besuar se do të përfundojnë në top-4, si dhe kënaqin tifozët 'Torcida' me lojërat e tyre.

Tifozët, shumë të rëndësishëm 

Njëri nga basketbollistët e kthyer te Trepça është Samir Zekiqi, i cili kishte shkëlqyer me mitrovicasit këtë edicion, derisa në vjeshtë ishte lojtar i Bashkimit. Ai tregon arsyet e kthimit në "Minatori". "Arsyeja kryesore e kthimit është gjendja jo e mirë financiare në klubin e Bashkimit. Kemi pasur probleme ne lojtarët dhe trajneri grek, i cili gjithashtu është larguar. Dëshira tjetër ishte që të shoh sërish palestrën 'Minatori' dhe  të dëgjoj zërat e lojtarit tonë të gjashtë, 'Torcidës', që na kanë përkrahur gjithmonë dhe besoj se do të na përkrahin edhe në stinorin pranveror, aty ku do të vendoset gjithçka", është shprehur Samir Zekiqi për gazetën "Kosova Sot". Trepça e nisi stinorin pranveror me fitore, duke mundur Pejën, me rezultat 87:83. Zekiqi ishte njëri nga lojtarët më të dalluar për mitrovicasit në këtë ndeshje me 20 pikë, gjashtë kërcime dhe katër asistime. Në ndeshjen e ardhshme 'Xehetarët' do të takohen me Kerasan Prishtinën, dhe do të jetë një rast i mirë që të afrohen vendin të katërt, që është tri pikë larg. Golden Eagle Ylli dhe Rahoveci kanë grumbulluar 24 pikë pas 15 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani. 

Të kthejnë klubin aty ku e meriton

Mitrovicasit besojnë se mund të tregojnë lojëra të mira dhe të kthejnë klubin, aty ku e meriton. "Synimet tona janë që ndeshje pas ndeshje të tregojmë, punë, angazhim dhe të dalim fitues. Synojmë ta rikthejmë klubin, aty ku e ka pasur gjithmonë vendin dhe besojmë se do të japim më të mirën tonë, si në stërvitje, ashtu edhe në çdo lojë", ka theksuar përfaqësuesi i Kosovës në basketboll për gazetën "Kosova Sot", duke shtuar: "Ne do të mundohemi të japim më të mirën tonë, dhe të arrijmë suksese, vetëm me punë dhe disiplinë, që është shumë e rëndësishme. Shpresojmë se do të tregojmë lojëra të mira dhe tifozët tonë do të jenë të kënaqur, pasi na kanë përkrahur gjithmonë dhe asnjëherë nuk na kanë lënë vetëm. Mendoj se ata do të na përkrahin edhe më tutje", përfundoi Samir Zekiqi për gazetën "Kosova Sot". Zekiqi edicionin e kaluar ishte një nga vendorët më të mirë në elitën e basketbollit të Kosovës, duke u ftuar edhe nga Përfaqësuesja për të dhënë kontributin e tij. Në Mitrovicë ekziston një mobilizim i madh për stinorin pranveror, dhe kjo u pa edhe në ndeshjen me Pejën, ku e përkrahën skuadrën maksimalisht. Trepça në vitin 2012 kishte fituar titullin dhe Kupën, për të hyrë më pas në një krizë të thellë, që ende nuk kanë dalë. 

(Kosova Sot)