Favoritët për "Play-off"

  • 22 January 2018 - 09:33
Favoritët për

GARAT NË SUPERLIGË PO DHUROJNË DISA NDESHJE MJAFT INTERESANTE 

Java e 16-të e elitës së basketbollit të Kosovës ka dhuruar disa ndeshje mjaft interesante. Takimi më interesant është zhvilluar ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit, një përballje me shumë rivalitet në fushë, kurse derbi i moçëm ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës (85:111), u përcoll vetëm nga 39 shikues, duke dëshmuar se në çfarë gjendje ka ardhur basketbolli i Kosovës. Ylli mundi Rahovecin me rezultat 99:86, duke bërë një hap të madh drejt "Playoff"-it, dhe duke ia rrezikuar edhe më shumë vendin në garat shtesë skuadrës kundërshtare. Ndërkohë, me fitore ka vazhduar Trepça, duke iu afruar edhe më shumë garave shtesë. Mitrovicasit mundën Kerasan Prishtinën me rezultat 88:75, kurse Bashkimi triumfoi në ballafaqim me Borean me rezultat 97:70.

Pesë skuadra për katër vende

Edhe pse nuk është në nivelin më të lartë ky edicion në basketbollin e Kosovës, lufta për "Play-off" pritet të jetë mjaft interesante. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, ka treguar se kush janë favoritët që, sipas tij, të gjenden në garat shtesë. "Duke parë situatën e tanishme, mendoj se gjasat më të mëdha i kanë Sigal Prishtina, Bashkimi, Ylli dhe Trepça. Në këtë konkurrencë nuk ndodhet Rahoveci, duke u bazuar në mungesë të palestrës që nuk kanë, dhe do të jetë shumë vështirë që të sigurojnë një vend në garat shtesë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që do të ndodh sigurt, pasi në luftë për katër vende, janë pesë skuadra, dhe secila do të jep maksimumin për t'i gjendur në garat përfundimtare, edhe pse dihet se Sigal Prishtina e ka siguruar, dhe Bashkimi është shumë afër", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

Përforcimet e deritanishme

Për dallim nga pjesa vjeshtore e kampionatit, në pranverë skuadrat bën më shumë përforcime, duke ditur se më gabimet nuk lejohen dhe zhvillohet faza vendimtare e Superligës. "Sa i përket përforcimeve të deritanishme, Ylli ka bërë një përforcim shumë të mirë, duke marrë një qendër kroate, i cili më ka lënë mbresa dhe se kur do të ambientohet, atëherë do të ndihmoj skuadrën edhe më shumë. Ndërsa përforcimet tjera mbetet ende t'i shikojmë dhe të bindemi nëse janë të qëlluara apo të dështuara. Tani jemi në pjesën vendimtare të kampionatit, ku sigurisht se do të jetë më vështirë, dhe do të ketë më shumë presion në skuadra dhe lojtarë", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Pas 16 xhirove të zhvilluara në elitën e basketbollit, Sigal Prishtina, është e para me maksimum pikësh, 32, duke u ndjekur nga Bashkimi me 27, Golden Eagle Ylli 26, Rahoveci me 25 dhe Trepça me 23. Pikërisht beteja më e madhe për vendin e katërt pritet të zhvillohet mes Rahovecit dhe Trepçës, që kanë dy pikë dallim dhe që do të luftojnë deri në fund për të qenë pjesë e "Play-off"-it.

(Kosova Sot)