FFK-ja e FSHF-ja po e rrezikojnë të ardhmen e shumë talenteve

  • 23 January 2018 - 09:20
FFK-ja e FSHF-ja po e rrezikojnë të ardhmen e shumë talenteve

DY FEDERATAT SHQIPTARE DUHET TA GJEJNË NJË ZGJIDHJE PËR LOJTARËT KOSOVARË

Shumë lojtarë kosovarë janë në dilemë se me cilën kombëtare të bashkohen

Përzgjedhësi i Kosovës, Muharrem Sahiti nuk e ka pasur aspak vështirë të përcaktohet këtë herë për listën e futbollistëve që do t'i ftojë për ndeshjen miqësore që Kosova e zhvillon ndaj Azerbajxhanit me 2 shkurt, pasi është përcaktuar vetëm për lojtarët e Superligës. Mirëpo, këtë lehtësi Sahiti apo edhe pasardhësi i tij nuk do ta kenë në ndeshjet e radhës, pasi tashmë ka nisur një "luftë" e ashpër mes Federatës së Futbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për talentet e kosovare. Është Federata Shqiptare, ajo që vazhdon t'i ftojë futbollistët nga Kosova, pavarësisht se tashmë vendi ynë është pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, gjë e cila edhe ka zgjuar pakënaqësi. Rasti i fundit me Edon Zhegrovën, ku përzgjedhësi i kuqezinjve, Christian Panucci i ka bërë ftesë për miqësoren ndaj Norvegjisë, ka ngjallur debat bukur të madh tek ne. Shumë prej analistëve këtë e cilësojnë si një sjellje jo korrekte nga ana e FSHF-së, derisa ka të atillë që mendojnë se është vetë Kosova që nuk po tregon tretman si duhet ndaj talenteve të saj dhe kjo po i shtynë të bëjnë zgjidhje të tjera. Sido që të jetë, çështja e futbollistëve do të vazhdojë të mbetet edhe për shumë kohë problematike, derisa nuk vjen ndonjë vendim që do t'ua ndalonte futbollistëve kosovarë të paraqiten për kombëtaret e tjera.

FSHF-ja po na neglizhon

Sipas trajnerit kosovar Bekim Shotani, Federata Shqiptare e Futbollit në këtë situatë duhet të jetë më korrekte me atë të Kosovës dhe jo ta vazhdojë neglizhencën karshi saj. Shqipëria është e qartë se dëshiron t'i ketë futbollistët më të mirë në radhët e saj, por këtë nuk duhet ta bëjë duke e dëmtuar një vend tjetër, e aq më shumë siç është Kosova. "Federata Shqiptare e Futbollit duhet ta ketë parasysh se derisa nuk kemi qenë të pranuar ka qenë e drejtë t'i marrë lojtarët, tani është një situatë tjetër. Duhet urgjentisht një takim mes FFK-së dhe FSHF-së dhe t'i sqarojnë në parim gjërat dhe të ardhmen e futbollistëve me nënshtetësi të Kosovës", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Bekim Shotani, i cili megjithatë e pranon se FFK-ja në disa raste po vonohet për t'i ftuar lojtarët kosovarë. "Është fakt që FFK-ja në disa raste po vonohet në lidhje me lojtarët tanë që luajnë jashtë. Duhet sa më herët të nisin bisedimet me talentet kosovare, duke filluar tek ata te U15, pastaj U17,U19 e U21", ka thënë Shotani.

FFK-ja po gabon

Sipas Shotanit, arsyeja që pse disa lojtarë kosovarë po e refuzojnë Kosovën për Shqipërinë është fakti se FSHF-ja në këtë aspekt është shumë më aktive dhe ka një grup profesionalistësh që punojnë për t'i bindur. "FSHF-ja ka shumë njerëz që punojnë për përfaqësuese, siç quhen "skout", të cilët janë të angazhuar vetëm për zbulimin e talenteve dhe qasja e këtyre njerëzve ndaj talenteve është shumë më produktive. Është shumë e vërtetë që disa lojtarë, edhe pse janë me nënshtetësi kosovare, shumë lehtë i thonë po Shqipërisë, kjo krejt për shkak që FSHF-ja është tejet aktive dhe shumë herët nis bisedimet me ta", ka thënë Shotani për gazetën "Kosova Sot", duke shtuar se derisa lojtarët tanë shkojnë të Shqipëria, ata të Shqipërisë nuk do të vinin te Kosova. "Do të ishte shumë mirë që edhe lojtarët me nënshtetësi shqiptare t'i bashkohen Kosovës, por deri tash nuk kemi pasur ndonjë rast të tillë. Nuk e di nëse u është bërë ndonjë ftesë atyre, apo jo", ka përfunduar Bekim Shotani.

(Kosova Sot)