Alarm në Olimpiadë: Norovirus dhe sulm kibernetik

  • 10 February 2018 - 14:08
Alarm në Olimpiadë: Norovirus dhe sulm kibernetik

Në Lojrat Olimpike Dimërore të Pyoengchangut që nisën ditën e premte janë ndezur sinjalet e alarmit.

Në vendin aziatik është shfaqur virusi Norovirus prej një muaji dhe në orët e fundit janë shtuar 11 raste, duke e çuar në 139 numrin e personave të prekur të cilët ndodhen të gjithë në karantinë. Zona më problematike për këtë virus vazhdon të jetë Horeb Youth Center, ku janë regjistruar 7 nga 11 rastet e fundit me Norovirus. 

Të prekurit nga ky virus për momentin janë vetëm anëtarë të stafit të sigurisë. Komiteti Organizator vendosi që të caktojë nga një supervizor në çdo strukturë të Lojrave Olimpike që të monitorojë pastrimin e përditshëm, ndërkohë që janë shpërndarë 15 mijë shishe me higjienizues për duart.

Por jo vetëm kaq. Gjatë ceremonisë së hapjes së këtyre lojrave u shfaq edhe një problem me kompjuterët për shkak të një sulmi kibernetik. Sipas organizatorëve, hakerat sulmuan Main Press Center që shkaktoi probleme në transmetimin e kësaj ceremonie nëpërmjet internetit. Serverat u fikën menjëherë për të evituar dëme të tjera që mund të sillte edhe mbylljen e faqes zyrtare të lojrave deri ditën pasardhëse. Ende nuk dihet origjina e këtij sulmi kibernetik dhe hetimet po vazhdojnë.

Ndërkaq, janë dhënë medaljet e para të Lojrave Olimpike në garën e Cross County për femra. Medaljen e artë e fitoi suedezja Kalla, e cila la pas norvegjezen Bjoergen dhe finlandezen Parmakoski. 

(Kosova Sot)