“Agresion” nga Franca, ekipi i regbi në polici për dhunë

  • 12 February 2018 - 21:30
“Agresion” nga Franca, ekipi i regbi në polici për dhunë

Shkuan për të fituar ndeshjen, por u kthyen me një disfatë të sikletshme e bashkë me të edhe një çështje të hapur nga policia për agresion seksual, që në më të mirën e rasteve, do të mbetet një njollë në kombëtaren franceze të regbi.

Disa lojtarë nga përfaqësuesja transalpine u morën në pyetje në aeroportin e Edinburgut pas raportimeve për një sulm seksual në fundjavë.

Policia skoceze tha se hetimet fillestare nuk kanë zbuluar kryerjen e një krimi, por fakt mbetet që çështja është e hapur dhe kthimi i francezëve në vendlindje u shty me disa orë. Raportimet për agresionin seksual të disa lojtarëve të përfaqësueses së regbi ndaj një grupi vajzash, u përhapën pak orë pas humbjes së Francës 32-26 ndaj Skocisë në impiantin “Mërej Fild”.

Më herët u raportua se në një pub të njohur të Edinburgut, kishte patur përleshje mes tifozërive respektive.

(Kosova Sot)