Holly Holm nuk tërhiqet: Vazhdoj, pasi jam ende kompetitive

  • 07 March 2018 - 16:53
Holly Holm nuk tërhiqet: Vazhdoj, pasi jam ende kompetitive

Holly Holm nuk pranon të dëgjojë fjalën tërheqje nga sporti edhe pse është 36 vjeçe. Ish-kampionia e botës në peshën “bantamweight” (pesha gjel), 11 fitore e 4 humbje në karrierën e saj në artet marciale mikse, ka konfirmuar objektivin e saj për të vijuar të duelojë. Edhe pse në 5 duelet e fundit ka vetëm 1 fitore, Holm beson se nuk ka ndërmend të varë dorezat. Gjatë një interviste dhënë sot për mediat amerikane, ajo ka deklaruar se pasioni për këtë sport e shtyn që të duelojë sërish, por nuk fsheh dëshirën për t’u rikthyer kampione e botës.

Image

 

“Shumë njerëz më pyesin nëse do të tërhiqem, pasi kam humbur 4 nga 5 duelet e fundit. Ma kërkojnë këtë gjë pasi jam 36 vjeçe. Por unë vazhdoj t’u them se ky nuk është fundi për mua. Por ka edhe nga ata që më thonë se jam e vetmja që e ka kërcënuar realisht Cyborg dhe mund t’i merrja titullin, ndaj asgjë nuk është e mbyllur për mua. Pyes veten, pse duhet të tërhiqem kur jam ende në gjendje të zhvilloj sfida të bukura? Jam ende kompetitive në kafaz, ndaj do të vazhdoj të dueloj”, thotë Holm, që ende nuk di se në cilën peshë do të duelojë herën tjetër.

(Kosova Sot)