Mospërfshirja e Agollit, Panucci akoma nuk ka vendosur për shiritin e kapitenit

  • 19 March 2018 - 12:47
Mospërfshirja e Agollit, Panucci akoma nuk ka vendosur për shiritin e kapitenit

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Christian Panucci, bëri publike këtë të premte listën me lojtarët që do të grumbullojë për miqësoren ndaj Norvegjisë, ku binte në sy mungesa e kapitenit Ansi Agolli.

Në konferencën për shtyp të të hënës, përzgjedhësi ka sqaruar se ky “përjashtim” ka ardhur për shkak të moshës së madhe të mbrojtësin kuqezi që luan me Qarabagun e Azerbajxhanit.

Mirëpo, mosgrumbullimi i Agollit ka ngritur edhe pyetjen se kush do mbajë shiritin e kapitenit për ndeshjet e radhës.

E në lidhje me emrin e ri që do të jetë edhe kapiteni i kombëtares, Panucci ka theksuar se nuk ka preferenca dhe shiriti do t’i takojë atij lojtari që do të jetë pjesë e formacionit, e që ka edhe më shumë ndeshje me kombëtaren.

Përzgjedhësi ka përfshirë në listë katër emra të rinj, të cilët për herë të parë do ta veshin fanellën e Kombëtares A.

Herdi Prenga (Inter Zapresic), Bujar Lika (Grasshopper), Kristel Abazaj (Luftëtari) dhe prizrenasi i Skënderbeut, Enis Gavazaj – janë futbollistët e rinj që kanë marrë ftesë nga Panucci.

Ndeshja miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Norvegjisë do të zhvillohet më 26 mars në “Elbasan Arena”.

(Kosova Sot)