Bashkimi kërkon trofeun E SHUMËDËSHIRUAR

  • 20 April 2018 - 08:48
Bashkimi kërkon trofeun E SHUMËDËSHIRUAR

Tri herë u gjenden në finale

Skuadra e Bashkimit kërkon titullin e parë në basketboll dhe shpreson se synimin do ta arrijë këtë vit, që nuk e kishte arritur asnjëherë më parë, apo që nga themelimi zyrtar i Superligës në edicionin 1991-92. Prizrenasit ishin gjendur tri herë në finale të "Play-off"-it, por pa e çuar titullin në Prizren. Trofeu i fundit është në vitin 2001, kur fituan Kupën

Bashkimi ka pasur një edicion mjaft pozitiv deri më tani. Prizrenasit arritën deri në finale të Kupës së Kosovës në basketboll, ku u mundën nga Sigal Prishtina dhe deri në finale të Ligës Ballkanike, ku pësuan nga Levski. Pasi arritën në këto dy finale, prizrenasit kanë një ëndërr, e ajo është që të fitojnë titullin,trofe që nuk e kanë shijuar asnjëherë deri më tani. Superliga e Kosovës në basketboll është formuar zyrtarisht në vitin 1991, dhe që nga atëherë, prizrenasit nuk e kanë fituar asnjëherë titullin edhe pse shumë herë janë gjendur në top-4. Portokallinjtë janë kualifikuar tri herë në finale, e fundit, edicionin e kaluar, por nuk kanë arriturtë fitojë këtë trofe të çmuar. Bashkimi trofeun e fundit e ka fituar më 2001, kur triumfuan në finalen e Kupës.

Japin maksimumin për titullin

Bashkimi në këtë edicion është kualifikuar në gjysmëfinale të "Play-off"-it, ku do të ndeshet me Rahovecin, dhe së bashku me Prishtinën, pritet tëluftojnë për titullin e kampionit. Kapiteni i Bashkimit, Qëndrim Biraj, shpreson se do të jetësojë ëndrrën për titull. "Duke u bazuar në paraqitjet e fundit mjaft të mira, që i treguam në finale të Ligës Ballkanike dhe ku arritëm finalen, që ishte mjaft e vështirë, pasi skuadrat realisht ishin më cilësore se në kampionatin tonë, lirisht mund të them që kemi ngritje të formës ekipore, në momentin më të duhur, pra para fillimit të 'Play-off'-it. Ky fakt besoj se do të na ndihmoj shumë, dhe do të na rrit gjasat që këtë vit titulli i shumëkërkuar të përfundoj në Prizren. Ne do të bëjmë çmos që të sjellim titullin në Prizren për tifozëttonë, dhe angazhimi ynë nuk do të mungojë në asnjë çast", është shprehur Qëndrim Biraj për gazetën "Kosova Sot".

Xhiroja e fundit në garat e rregullta

Me ndeshjet e xhiros së 28-të në IP Superligën e Kosovës në basketboll do të përmbyllet edicioni i rregullt, ku tashmë është gjithçka e qartë sa i përket pjesës së epërme të tabelës, derisa asaj të poshtme ende mbesin disa gjëra për t'u sqaruar në këtë fundjavë. Të premten janë në program dy ndeshje, ajo në mes Trepçës dhe Bashkimit (19:00), si dhe dueli ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Rahovecit (19:30). Ndërkaq të shtunën Golden Eagle Ylli e pret Borean me fillim nga ora 19:00, si dhe të dielën Kerasan Prishtina është nikoqire e Pejës, takim ky që do të luhet duke filluar nga ora 19:00. Skuadrat që tashmë e kanë siguruar "Play-off"-in janë Sigal Prishtina, Bashkimi, Rahoveci dhe Golden Eagle Ylli, ku në gjysmëfinale do të përballen Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli dhe Bashkimi-Rahoveci. Ndërkohë në pjesën e poshtme të tabelës, ende është situata e paqartë, ku tashmë dihet vetëm se Trepça është e pesta dhe për Kerasan Prishtinën, Borean e Pejën vazhdon lufta për mbijetesë në elitë, apo edhe për t'i ikur "Play-out"-it. Borea dhe Peja kanë pikë të njëjta nga 34 pikë dhe kjo xhiro është vendimtare, derisa Kerasan Prishtina, vetëm sa është përshëndetur nga garat e elitës. B. REXHA

(Kosova Sot)