Xhaka, Shaqiri, Rakitic, Salah: Po mos t’i shiste këta lojtarë, sot Baseli do të ishte një super ekip evropian

  • 25 April 2018 - 16:08
Xhaka, Shaqiri, Rakitic, Salah: Po mos t’i shiste këta lojtarë, sot Baseli do të ishte një super ekip evropian

Shumë pak e dinë që ekipi i parë i Mohamed Salahit në Evropë ishte Basel.

Nga atje egjiptiani shkoi në Chelsea, pastaj luajti në Fiorentina për të kaluar në Romë dhe në fund përfundoi te Liverpooli, ku përfundimisht ka shkruar emrin e vetë në historinë e futbollit.

Salah nuk është i vetmi lojtar i madh që ka lënë Baselin në vitet e fundit.

Klubi zviceran do të formonte një ekip shumë konkurrues me lojtarët që kishte në ekip po mos t’i shiste gjatë kësaj dekade të fundit.

Në gol do të ishte portieri Sommer, aktualisht në Borussia Moenchengladbach.

Mbrojtja do të formohej nga Fabian Schar (Deportivo de la Coruna), Marcelo Diaz (Pumas), mesfushor i cili mund të luajë në qendër dhe David Abraham, aktualisht luan në Eintracht Frankfurt.

Qendra e fushës do të formohej me Ivan Rakiticin (Barcelona), si dhe dy lojtarët aktual të Arsenalit Granit Xhaka dhe Mohamed Elneny si dhe Gokhan Inler, i cili për momentin luan në Basaksehir të Stambollit.

Në sulm, përveç Salahut do të gjendej shqiptari Xherdan Shaqiri , ish-futbollisti i Bayern Munichut dhe Interit që aktualisht luan me Stoke Cityn si dhe Caicedo, i cili është pjesë e e Lazios pasi ka kaluar nëpër Manchester Cityn, Sportingun, Malagan, Levanten, Lokomotiv Moskën dhe Espanyolin.

Baseli, sipas gazetës spanjoll Marca, është shembull i një klubi që me burime modeste ka nxjerrë lojtarë të shkëlqyeshëm.

 

'Image

 

(Kosova Sot)