Edhe Papa e kishte bërë shqiponjën me duar

  • 24 June 2018 - 14:29
Edhe Papa e kishte bërë shqiponjën me duar

Diplomati Visar Zhiti sjell në kujtesë edhe një moment kur Papa Françesku bëri me duar, simbolin shqiptar, të shqiponjës.

Zhiti kujton se pas jehonës që pati gjesti i shqiponjës në festimin e golave në ndeshjen Zvicër – Serbi, dhe masave që priten të merren nga FIFA ndaj lojtarëve shqiptarë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri edhe Papa Françesku ka bërë një veprim të tillë, por se atëherë nuk pati asnjë koment negativ për shqiponjën e bërë me duar.

“Papa Françesku i qeshur, me kaq shumë dritë në sy, me duart e Tij bëri shqiponjën shqiptare, natyrshëm dhe shenjtërisht, kështu na duket neve, që e duam.
Ishte në një takim ndërkombëtar rinor. Ndërkaq kujtojmë porosinë që la gjatë vizitës në Shqipëri: ‘…mos harroni foletë dhe plagët…’.

Kur shqiponjën tonë e bën me duar dhe Shenjtëria e Tij, lideri më i madh moral i botës sot, misionari i paqes së popujve, atëherë ne besojmë ende më shumë se ai gjest është dhe i bukur, domethënës, shenjë identiteti po se po, miqësor dhe paqësor, në fund të fundit dhe mirënjohje Qiellit të Vendit tonë…”,- kujton poeti dhe diplomati Visar Zhiti, një takim me Shenjtërinë e tij Papa Françeskun.

Image



(Kosova Sot)