Prishtina vazhdon t'i dëshpërojë tifozët e saj

  • 21 July 2018 - 08:27
Prishtina vazhdon t'i dëshpërojë tifozët e saj
Për herë të dytë Prishtina dështon në garat ndërkombëtare  

"Kemi pritur shumë nga Prishtina në Ligën e Evropës, por kaq është cilësia e futbollistëve për përballje me kundërshtarë evropianë. Klubet tona kosovare duhet të ndryshojnë programin dhe mënyrën e stërvitjeve nëse duan sukses në Evropë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Genc Sermaxhaj

S kuadra më e madhe në vend, Prishtina, për herë të dytë radhazi ka dëshpëruar tifozët e vet në garat ndërkombëtare. Pas zhgënjimit që sollën edicionin e kaluar kur u turpëruan nga Norrkopingu i Suedisë, Prishtina këtë vit është kujdesur për një tjetër dëshpërim dhe atë ndaj një skuadre modeste siç është Fola nga Luksemburgu. Kjo edhe ka mjaftuar që analistët ta "kryqëzojnë" skuadrën bardhekaltër sipas të cilëve futbolli i Kosovës nuk e meriton të krahasohet me Andorrën e Luksemburg-un. Këtu pa pasur gjithmonë talente dhe futboll të bukur, andaj dikush duhet të marrë përgjegjësinë për sjelljen e futbollit në këtë gjendje. Sido që të jetë Prishtina dje ka qenë shumë afër ta hapë një faqe të re për futbollin kosovar, pasi e kishte shumë të lehtë të kalojë në raundin e dytë të Ligës së Evropës, por ja që nuk mundi ta kalojë një pengesë siç është Fola, një ekip aspak i njohur i ranguar shumë ulet në nivelin evropian, por ja që edhe kjo skuadër doli e fortë për Prishtinën. Njëri nga trajnerët më të suksesshëm të Prishtinës, Afrim Tovërlani ka refuzuar të flasë për gjendjen aktuale të klubit, duke thënë se shumëkush po e mendon se po flet për inati vetëm pse nuk është pjesë e këtij klubi. "Për të analizuar Prishtinën është shumë vështirë për mua, pasi plot njerëz po mendojnë se po flas me prapavija. Kështu që ata (drejtuesit e klubit)i dinë punët e veta, unë të miat. Nuk dua më të harxhoj kohë me dështimet e Prishtinës", ka thënë shkurt për gazetën "Kosova Sot", ish-trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani.

Sermaxhaj: Prishtina gaboi shumë Në anën tjetër, ish- futbollisti i Prishtinës, tash analist, Genc Sermaxhaj ka thënë se Prishtina gaboi shumë me Fola-n dhe është dashur gjithsesi ta kalojë këtë pengesë pasi niveli i kësaj skuadre nuk ka qenë i lartë. "Prishtina luajti dobët, ngjashëm ishte edhe kundërshtari. Ndeshja Prishtina - Fola them se ishte nën nivelin mesatar, madje interesant e bën vetëm goditjen e penalltive. Prishtina është dashur që ta përfundojë ndeshjen gjatë kohës së rregullt, dhe jo ta çojë atë në penallti, pasi nga ato mund të humbasësh edhe nga kundërshtari shumë më i dobët", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Genc Sermaxhaj, duke shtuar se futbolli ynë nuk e meriton këtë prezantim në Evropë. "Klubet kosovare mund të bëjnë më shumë në garat ndërkombëtare, por duhet një qasje tjetër nga mënyra e deritanishme e punës. Kemi pritur shumë nga Prishtina në Ligën e Evropës, por kaq është cilësia e futbollistëve për përballje me kundërshtarë evropianë, ndërsa për Kosovë, Prishtina duhet pranuar që është ekip e padiskutueshme. Klubet tona kosovare duhet të ndryshojnë programin dhe mënyrën e stërvitjeve, të punohet më shumë me futbollistët e rinj dhe të jenë më të organizuar në aspektin e përgjithshëm. Na është dashur që së paku ta kalojmë raundin e parë në Ligën e Evropës, por ky është kapaciteti ynë për momentin", ka përfunduar Sermaxhaj.

Reagojnë "Plisat" Padyshim më të zhgënjyerit nga eliminimi i Prishtinës janë tifozët e saj "Plisat". Ata assesi nuk po mund të pajtohen se për të dytin vit rresht eliminohen në raundin e parë në garat ndërkombëtare, madje kjo e fundit ishte goditje edhe më e rëndë, pasi erdhi nga një kundërshtar i nivelit shumë të lartë. Numri një i "Plisave", Albert Kastrati ka akuzuar trajnerin Mirel Josa për këtë dështim, derisa nuk ka kursyer as disa lojtarë të të tjerë sipas të cilit nuk e meritojnë fanellën bardhekaltër. "'Plisat' nuk kanë për t'u ndalur veç kanë për të qenë edhe më të fortë në të ardhmen, por as juve nuk do t'ju lëmë të bëni më hajgare me Prishtinën", ka qenë reagimi i Kastratit, duke dhënë sinjale se raportet e tyre me ekipin tashmë janë nxehur bukur shumë. Të kujtojmë se "Plisat" edhe në të kaluarën kanë pasur problem me drejtuesit e klubit, madje në shumë raste edhe kanë kërkuar largimin e tyre nga Prishtina.  

(Kosova Sot)