Ozil shpjegon arsyet e dorëheqjes: E kam veshur fanellën gjermane me krenari, por jo më

  • 22 July 2018 - 22:01
Ozil shpjegon arsyet e dorëheqjes: E kam veshur fanellën gjermane me krenari, por jo më

Mesut Ozil ka thënë se dikur e ka veshur me krenari dhe ngazëllim fanellën e Kombëtares së Gjermanisë dhe se më nuk e ka atë ndjesi, për shkak të – siç thotë – mungesës së respektit që Federata e Futbollit e Gjermanisë (DFB) ka treguar për të dhe rrënjët e tij turke.

Mesfushori i Arsenalit, i cili para pak minutash njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga Kombëtarja me të cilën e fitoi Botërorin e 2014-s, e ka akuzuar Federatën Gjermane se e ka përdorur fotografinë e tij nga një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për propagandë politike.

“Trajtimi që ma ka bërë DFB-ja dhe shumë tjerëve ma shuan dëshirën për ta veshur fanellën e ekipit kombëtar gjerman. Ndihem i padëshiruar dhe mendoj se ajo që e kam arritur që prej debutimit tim në Kombëtare më 2009 është e paharrueshme”, ka thënë Ozil.

Ozil e akuzon presidentin e DFB-së, Reinhard Grindel, se është racist duke thënë se nuk dëshiron të bëhet kurban i punës së dobët nga ai.

“Tani po flas jo për Grindelin, por sepse dua. Nuk do të jem më kurban i paaftësive dhe mungesës së kompetencave nga ai për ta bërë punën siç duhet. E di që ai më dëshironte jashtë Kombëtares pas fotografisë”, shtoi ai.

“Kur zyrtarët e lartë të DFB-së më trajtojnë siç më trajtuan, duke mos m’i respektuar rrënjët turke dhe duke më kthyer në propagandë politike, them se mjaft është mjaft. Për këtë nuk luaj futboll unë, nuk do të rri duarkryq pa bërë gjë. Racizmi nuk duhet të pranohet kurrë”, shkruan Ozil. 

(Kosova Sot)