Gjyqtarët, të gatshëm për një kampionat të rregullt

  • 15 August 2018 - 08:41
Gjyqtarët, të gatshëm për një kampionat të rregullt
Gjithçka duket gati për edicionin e ri, që nis këtë fundjavë 

Jo rrallëherë gjyqtarët kosovarë të futbollit kanë qenë shënjestra më e atakuar nga klubet dhe tifozët, kjo për shkak të pakënaqësive në drejtësinë e ndarë nga ata. Këtë herë gjyqtarët duken se janë përgatitur maksimalisht mirë, në mënyrë që kampionatin ta mbajnë nën kontroll

Ndeshja e Superkupës së Kosovës, që u zhvillua të hënën ndërmjet Dritës e Prishtinës, ishte një test i madh për shumë aktorë të futbollit kosovar. Kjo ndeshje fillimisht ishte test për FFK-në sesi mund ta organizojë një ndeshje ndërkombëtare, ishte test edhe për stadiumin "Fadil Vokrri" nëse mund t'i plotësojë kriteret për ndeshje ndërkombëtare apo jo, gjithashtu ishte test edhe për dy klubet, Dritën e Prishtinën, për të treguar se sa janë të përgatitura për edicionin e ri. Por, njëherësh ishte test edhe për gjyqtarët për të treguar nëse janë apo jo të gatshëm për ta mbajtur nën kontroll një kampionat, i cili mund të prodhojë ndeshje ku atmosfera mund të jetë bukur e zjarrtë, ashtu siç ishte të hënën në mbrëmje. Gjithsesi, gjyqtarët në atë sfidë treguan përgatitje të mirë dhe ky është një sinjal se ata janë të gatshëm për një fillim të mbarë.

Seminari u ndihmoi shumë Federata e Futbollit të Kosovës për t'i përgatitur sa më mirë gjyqtarët kosovarë, disa prej të cilëve i presin sfida edhe ndërkombëtare, ka organizuar një seminar nën përkujdesjen e instruktorit të FIFA-s, Alan Snoddy, e ku ligjëruan edhe Simon Breivik, trajner i fitnesit i gjyqtarëve të Ligës Premiere, Ridvan Ekmekci, profesor në Universitetin Pamukkale dhe Bekim Zogaj, gjyqtar asistent i FIFA?s. Ky seminar nga drejtuesit e FFK-së u vlerësua si shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm pasi mund t'i ndihmojë gjyqtarët të jenë sa më të përgatitur për edicionin e ri, i cili po cilësohet si njëri nga edicionet më të forta të pasluftës, kjo pasi për herë të parë në histori të kampionatit tonë do të marrin pjesë tri klube në garat evropiane, gjë e cila maksimalisht edhe e ka rritur rivalitetin e skuadrave. "Shpresoj shumë që njohuritë që kanë marrë gjyqtarët nga ligjëratat e këtij seminari do t'u shërbejnë shumë në edicionin e ri të kenë nivel të lartë të ndarjes së drejtësisë", ka thënë kryetari i Komisionit të gjyqtarëve, Përparim Hasani, duke njoftuar se në ditët në vazhdim do të mbahet seminar edhe me kontrollorët e referimit me qëllim të njoftimit nga ekspertët e kësaj fushe për ndryshimet më të reja në ndarjen e drejtësisë.  

Gjyqtarët janë gati "Ishte një seminar ku vërtet kemi mësuar shumë. Edhe kolegët e mi kanë treguar formë dhe përqendrim maksimal, edhe pse kishte momente kur disa kanë pasur ngecje", i ka thënë gazetën "Kosova Sot" një gjyqtar i Superligës në kushte anonimiteti, duke njoftuar se në testimet e bëra nga 45 gjyqtarë sa ishin prezentë, 2 gjyqtarë kryesorë dhe katër asistentë nuk kanë mundur t'i kalojnë testet, derisa të gjithë të tjerët kanë kaluar më sukses. "Ka pasur teste jashtëzakonisht të forta, madje na është matur edhe shkalla e inteligjencës, ku është konstatuar nëse jemi psikikisht të përgatitur apo jo. Edhe në këtë pikë kemi treguar përgatitje të mirë psikike", ka thënë gjyqtari kosovar. Të kujtojmë se këtë vit këmishëzinjtë i pret një punë shumë e vështirë, me shpresë se ata do të mundë të përballojnë çfarëdo presioni që mund t'ju vijë dhe në këtë mënyrë ta mbajnë nën kontroll kampionatin që po pritet të jetë bukur i nxehtë.

(Kosova Sot)