Presidenti i FIFA-s e kundërshton planin për zhvillimin e ndeshjeve të La Ligës në Amerikë

  • 18 September 2018 - 13:32
Presidenti i FIFA-s e kundërshton planin për zhvillimin e ndeshjeve të La Ligës në Amerikë

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk pajtohet me propozimin e La Ligës që ndeshja mes Gironas dhe Barcelonës të mbahet në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo ndeshje mund të zhvillohet në SHBA për shkak të një marrëveshjeje që është arritur mes La Ligës me kompanisë Relevant për 15 vitet e ardhme, që disa nga ndeshjet e ardhshme të ligës spanjollë të zhvillohen në SHBA dhe Kanada.

Megjithatë, kjo ide ka ngjallur shumë reagime që kur është zyrtarizuar muajin e kaluar. Fillimisht ishte thënë se lojtarët do të hynin në grevë për ta kundërshtuar këtë projekt, por tani edhe Federata e Futbollit të Spanjës dhe qeveria e vendit e kanë bërë të qartë se janë kundër këtij vendimi.

Tani edhe një figurë tjetër e ka kundërshtuar këtë ide. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se nuk i pëlqen aspak ky projekt, për të cilin kishte diskutuar javën e kaluar me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanches dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales.

“Mendoj se do të preferoja ta shikojë një ndeshje të ligës amerikane, Major League Soccer, në SHBA para një ndeshjeje të La Ligës që po zhvillohet atje”, ka thënë Infantino.

“Në futboll, principi i përgjithshëm është se ti luan ndeshjet e shtëpisë në shtëpi, dhe jo në një vend të huaj”.

Vendimi përfundimtar për këtë ndeshje do të bëhet publik në fund të shtatorit.


(Kosova Sot)