Ramos – Griezmannit: E ke guximin e të paditurit

  • 18 September 2018 - 16:18
Ramos – Griezmannit: E ke guximin e të paditurit

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së parë të Ligës së Kampionëve, kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramosi e ka kritikuar Antoine Griezmannin për deklaratat e këtij të fundit, ku kishte thënë se është lojtari më i mirë në botë, së bashku me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.

Francezi është shprehur i zemëruar që nuk është nominuar për çmimet e UEFA-s dhe FIFA-s për lojtarin më të mirë në botë. Ndërsa, së fundi ka pretenduar se ai e meriton të jetë një nga tre lojtarët e kandiduar për “Topin e Artë”.

“Ai e ka guximin e të paditurit. Kur e dëgjoj atë duke folur, mendon për Totti, Xavin, Raulin, Iniestan, Ikerin... lojtarë që kanë fituar shumë tituj me skuadrat e tyre, por kurrë nuk e kanë fituar ‘Topin e Artë’”, ka thënë Ramos.

“Atij duhet t’i flasë trajneri i tij, Simeone, ose Godini, njerëz të cilat i kanë vlerat që i nevojiten edhe atij”.

Real Madridi nesër e fillon rrugëtimin në sezonin e ri të Ligës së Kampionëve. “Los Blancos” synojnë ta fitojnë trofeun për të katërtën herë radhazi, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në epokën moderne.

“Ne kemi krenari dhe përgjegjësi. Këta tre tituj të Ligës së Kampionëve nuk i kemi fituar rastësisht, por duhet të tregohemi ambicioz dhe të kërkojmë ta fitojmë përsëri”.

 

(Kosova Sot)