Perez: Nuk do të luajmë në SHBA

  • 23 September 2018 - 18:55
Perez: Nuk do të luajmë në SHBA

Në një konferencë për shtyp, ku i zyrtarizoi planet për rinovimin e Santiago Bernabeut, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka thënë se klubi i tij nuk do të marrë pjesë në ndeshjet që planifikohet të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.

La Liga ka nënshkruar marrëveshje 15-vjeçare me kompaninë Relevant, për t’i zhvilluar disa nga ndeshjet e La Ligës në SHBA dhe në Kanada. Megjithatë, kjo marrëveshje është kundërshtuar nga pothuajse të gjithë përveç La Ligës.

La Liga tanimë e ka bërë të ditur planin për ta luajtur ndeshjen e parë në SHBA, mes Barcelonës dhe Gironës, e cili pritet të zhvillohet në stadiumin Hard Rock të Miamit më 27 janar të vitit të ardhshëm.

Kjo do të jetë ndeshja e parë e La Ligës e cila do të zhvillohet jashtë Spanjës. Por, Perezi ka bërë të ditur se ata nuk do t’i ndjekin hapat e Barcelonës, duke insistuar se “Los Blancos” do ta refuzojnë çdo ofertë të tillë.

“Ne nuk do të shkojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk më intereson se çfarë interesa mund të ketë, ato nuk janë të klubit apo të tifozëve. Ne e refuzojmë këtë gjë plotësisht”, ka thënë Perezi.

 

(Kosova Sot)