Man. City, “mbretëresha” e merkatos së verës

  • 01 September 2015 - 11:00
Man. City, “mbretëresha” e merkatos së verës

Angel Di Maria, Kevin De Bruyne, Mateo Kovacic, Arda Turan, Arturo Vidal, Bastian Schweinsteiger, Carlos Bacca etj, ishin këto disa nga goditjet e mëdha të merkatos së kësaj vere, që deri në sekondën e fundit dhuroi surpriza të mëdha. Manchester City është në kuptimin e plotë të fjalës mbretëresha e merkatos. Citiziens shpenzuan plot 210 milionë Euro për të afruar në ekip emra të tillë si De Bruyne nga Wolfsburgu për 74 milionë Euro që është njëkohësisht edhe blerja më e shtrenjtë e kësaj vere, pa harruar edhe këtu Raheem Sterling për 70 milionë nga Liverpooli e Nicolas Otamendin për 45 milionë Euro nga Valencia.

Në merkato nuk u kursye as Manchester United. Djajtë e Kuq tranferuan nga Monaco, 19-vjecarin Anthony Martial për 50 milionë Euro me këtë të fundit që u shndërrua në adoleshentin më të shtrenjtë që është blerë ndonjëherë nga një klub futbolli. Përvec Martial te United kaluan edhe Memphis Depay, Morgan Schneiderlin, Bastian Schweinsteiger dhe Matteo Darmian. Reali dhe Barcelona dy gjigjandët e futbollit spanjoll dhe atij Botëror bënë një merkato pa shumë emra të mëdhenj duke ruajtur grupin e sezonit të kaluar. Los Blancos në ditën e fundit të merkatos edhe pse ishin shumë pranë David De Geas nuk arritën të depozitonin dot në kohë dokumetacionin përkatës dhe portieri spanjoll duhet të qëndrojë të paktën deri në Janar te Manchester United. Realit nuk i mbetet gjë tjetër vecse të mjaftohet me blerjet e Mateo Kovacic nga Interi për 35 milionë Euro dhe mbrojtësit Danilo nga Porto për 31.5 milionë Euro.

Nga ana tjetër Barcelona mori Arda Turan nga Atletico e Madridit dhe Aleix Vidal nga Sevilla edhe pse për shkak se Barca është e pezulluar nga FIFA këta dy lojtarë mund të luajnë për blaugranat vetëm në Janar të 2016-s. Emra sugjestionues afroi edhe Atletico e Madridit, si Jackson Martinez, Luciano Vietto e Filipe Luis. Një merkato cilësore zhvilloi edhe Bayern Munich që transferoi në Bundesligë, dy lojtarë fantastikë si Arturo Vidal dhe Douglas Costa pa harruar këtu të rinjtë premtues si Coman e Kimmich. Borussia e Dortmundit mbajti në ekip yjet e saj dhe ndërkohë në castet e fundit transferoi në Signal Iduna Park, Adnan Januzajn. Nënkampionët e Wolfsburgut për të kompensuar shitjet e De Bruyne dhe Perisic, bënë të tyrët Julian Draxlerin dhe Max Kruzen.

Një merkato shumë e fuqishme u zhvillua edhe në Itali këtë verë, me Milanin, Interin e Juventusin që nuk u kursyen aspak. Bardhezinjtë humbën tre emra të mëdhenj si Tevez, Pirlo dhe Vidal por vendosën në dispozicion të Allegrit emra të tillë si Mandzukic, Dybala, Cuadrado, Hernanes dhe Alex Sandro. Shumë emra të rinj afroi në skuadër edhe Interi, me Kondogbia, Jovetic, Perisic, Ljajic dhe Miranda që mund të konsiderohen si blerjet më të rëndësishme të zikaltërve. Milani nuk arriti të realizonte dot goditjen e madhe Axel Witsel por mori emra si Carlos Bacca, Romagnoli e Luiz Adriano, ndërsa një merkato super zhvilloi edhe Roma që bleu Edin Dzekon, Mohamedd Salah e Iago Falquen.

Nuk mund të qëndronte duarkryq as Paris Saint Germain. Presidenti Al Khelaifi transferoi në Parc Des Princes një emër të madh si Angel Di Maria, i cili i kushtoi parizienëve plot 60 milionë Euro. Shumë para të shpenzuara nga klubet më të mëdha të Europës vetëm e vetëm për të zhvilluar një sezon pozitiv, por me mbylljen e merkatos tashmë fjalën e ka fusha.