Modric: Messi e Ronaldo jashtëtokësorë, ama edhe unë e meritoj të vlerësohem

  • 25 September 2018 - 08:53
Modric: Messi e Ronaldo jashtëtokësorë, ama edhe unë e meritoj të vlerësohem

Luka Modric veson se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk vijnë nga kjo botë, por ndien se vetë ai e meritoi të vlerësohet me çmimin e lojtarit më të mirë të vitit nga FIFA, pas sezonit të suksesshëm që pati.
Mesfushori i Real Madridit dhe Kroacisë e fitoi çmimin para Ronaldos dhe Mohamed Salahut të Liverpoolit të hënën.

Modric i ndihmoi Real Madridit ta fitojë Ligën e Kampionëve, dhe vetëm një muaj më vonë u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Botës 2018, ku e çoi vendin e vet në finale.

Ylli kroat i lartësoi dyshen Messi dhe Ronaldo, të cilët munguan në ceremoninë e së hënës, por tha se edhe sezoni i tij meritoi vlerësim.

“Jam i lumtur sepse tani edhe lojtarët tjerë po vlerësohen, kishte të tjerë që e meritonin më parë, por nuk e fitonin dot”, tha Modric.

“Golat janë të rëndësishme dhe lojtarët si Cristiano dhe Messi janë veçanërisht në një nivel tjetër. Janë dy më të mirët të kësaj bote”, shtoi ai.

“Ama, edhe lojtarët tjerë duhet të vlerësohen kur kanë vit të mirë”, insistoi ai.

(Kosova Sot)