Man Unitedi, PSG-ja dhe Real Madridi interesohen për yllin e Ajaxit

  • 25 September 2018 - 12:45
Man Unitedi, PSG-ja dhe Real Madridi interesohen për yllin e Ajaxit

Talenti i ri i Ajaxit, Frenkie de Jong, është duke u kërkuar nga disa prej klubeve të mëdha të Evropës, si Manchester City, Manchester Unitedi, Paris Saint-Germaini. Tani kësaj liste i është shtuar edhe Real Madridi.
Holandezi arriti të zinte vend në formacionin e parë të Ajaxit para dy sezoneve, në moshën vetëm 19-vjeçare, dhe që nga atëherë ai është përmirësuar edhe më shumë si futbollist.

Ai debutoi për Kombëtaren e Holandës në qershor, dhe tani duket se karriera e tij është duke ecur me hap shumë të shpejtë, pasi që shumë prej klubeve më të mëdha evropiane kanë shprehur interesimin për të.

De Jongu ishte protagonisti i bisedimeve për transferimin e tij në Barcelonë gjatë afatit kalimtar të verës. Megjithatë, oferta e katalonasve dështoi pasi që Ajaxi kërkon rreth 80 milionë euro për ta shitur talentin e tyre.

Daily Mail raporton se Manchester Unitedi dhe Real Madridi kishin dërguar skauta për ta përcjellë ndeshjen e javës së kaluar të Ajaxit në Ligën e Kampionëve. Megjithatë klubi nga Amsterdami nuk do ta lejojnë shitjen e tij në afatin kalimtar të janarit, por vetëm gjatë verës së ardhshme, nëse ndonjë nga klubet e interesuara e ofron shumën e kërkuar të parave.

Edhe klube të tjera, si Bayern Munichu dhe Tottenhami, fillimisht janë interesuar për mesfushorin holandez, megjithatë ata nuk janë të gatshëm ta paguajnë shumën e kërkuar nga Ajaxi për transferimin e De Jongut.

(Kosova Sot)