Arrihet marrëveshja, miliarderi Khan e blen Wembleyn për 671 milionë euro

  • 26 September 2018 - 09:43
Arrihet marrëveshja, miliarderi Khan e blen Wembleyn për 671 milionë euro

Federata e Futbollit të Anglisë ka arritur marrëveshje me pronarin e Fulhamit dhe Jacksonville Jaguars, Shahid Khan, për shitjen e stadiumin kombëtar, Wembley, për rreth 671,8 milionë euro, raporton Financial Times.

Biznesmeni pakistanez dhe amerikan ka qenë në bisedime për ta blerë këtë stadium që nga prilli dhe tanimë është arritur marrëveshja mes Khanit dhe Federatës së Futbollit të Anglisë.

Tani, propozimi i cili është arrirë mes këtyre dy palëve do të duhet të aprovohet nga dhjetë anëtarët e bordit të FA-së gjatë një takimi i cili pritet të mbahet nesër.

Nëse bordi e aprovon kërkesën e Khanit për ta blerë Wembleyn, atëherë kjo marrëveshje do të paraqitet edhe para 127 anëtarëve të këshillit të federatës në një takim që do të mbahet gjatë muajit tetor.

Në prill, Khani kishte thënë se dëshironte ta blinte Wembley për ta përforcuar imazhin e Jaguars në Londër, ndërsa Federata e Futbollit të Anglisë kishte thënë se paratë e përfituara nga shitja e stadiumit do të investoheshin për përmirësimin e kushteve të futbollit.

“Nëse do të kemi ndonjë mundësi ta ndryshojmë për të mirë futbollin e këtij vendi, atëherë kjo ofertë mund të na ndihmojë ta bëjmë këtë gjë”, kishte thënë një zyrtar i FA.

Edhe nëse Khani e blen Wembleyn, ndeshjet në shtëpi të Kombëtares së Anglisë do të zhvillohen përsëri në këtë stadium, si dhe ndeshjet e FA Cup, si finalja.

Edhe pse Khani është pronar i Fulhamit, Craven Cottage do të mbetej stadiumi i klubit të tij.


(Kosova Sot)