Danezët shprehin habi: Shqipëria e 22-ta, ne të 25-t!

  • 03 September 2015 - 09:17
Danezët shprehin habi: Shqipëria e 22-ta, ne të 25-t!

Portali danez “ekstrabladet.dk” i ka kushtuar një shkrim përballjes Danimarkë-Shqipëri që do të luhet më 4 shtator në Kopenhagen, në orën 20:45.

Media daneze në fjalë shkruan se Kombëtarja shqiptare ka pasur një ngjitje të jashtëzakonshme, sidomos muajt e fundit, teksa tashmë renditet në vend të 22-ta.

Danezët shprehin habi se si një kombëtare, që nuk ka marrë pjesë në asnjë Europian apo Botëror, madje as ndeshje “play-off”-i, renditet para ekipit të tyre. Pavarësisht përballjeve direkte, teksa danezët janë superiorë të padiskutueshëm, aktualisht situata është ndryshe dhe nuk është më një përballje e lehtë me Shqipërinë, me 3 pikë të sigurta në “xhep”.

Danezët kujtojnë vitin 1993, ku ekipi i tyre mundi Shqipërinë 4-0. Danimarka asokohe renditej në vendin e gjashtë në botë, ndërsa shqiptarët në vend të 92-të. “Në atë kohë kishte një dallim të madh në renditjen e FIFA-s. Danimarka ndodhej e gjashta në botë, kurse Shqipëria e 92-ta. Që nga atëherë kanë ndodhur shumë gjëra në futboll dhe para ndeshjes së ardhshme rolet kanë ndryshuar shumë. Tani Shqipëria është para Danimarkës, ndodhen në vendin 22-të të FIFA-s, kurse ne në të 25-in”, – citon “ekstrabladet.dk”.

Trajneri Morten Olsen ka blinduar Danimarkën, duke iu trembur spiunëve në prag të ndeshjes eliminatore kundër Shqipërisë. Trajneri i ekipit nordik nuk i ka pranuar mediat në stërvitje, përveç 15 minutave të para, ku ekipi zhvilloi disa ushtrime fizike. Tensioni në kampin e kombëtares është i lartë, pasi Olsen nuk dëshiron që mediat apo njerëz të huaj të zbulojnë planet e tij për sfidën e 4 shtatorit, transmeton Telesport.

Mediat vendëse daneze përcjellin edhe një fakt pak trishtues për trajnerin Olsen, i cili nëse humbet kundër Shqipërisë, me siguri që do të shkarkohet nga drejtimi i Danimarkës. Barazimi do ta mbante në stol deri në tetor, por nëse Danimarka nuk kualifikohet për në “Euro 2016”, Olsen është i shkarkuar automatikisht.