Ligë komerciale!

  • 19 October 2018 - 09:34
Ligë komerciale!
Vetëm gjashtë skuadra pjesëmarrëse, tri shqiptare  

Liga Ballkanike ishte e para garë ndërkombëtare për skuadrat nga Kosova. Megjithatë, me kalimin e viteve gara në këtë ligë është zbehur, derisa tani kanë mbetur vetëm gjashtë skuadra, prej tyre tri shqiptare (2 nga Kosova dhe 1 nga Shqipëria). Mënyrë më e mirë është pjesëmarrja me lojtarë vendorë, në të kundërtën nuk ia vlen, thonë analistët e basketbollit

Palestrat ishin të stërmbushura me adhurues të basketbollit, interesimi ishte i jashtëzakonshëm, kishte investime dhe luftohej deri në sekondën e fundit. Kështu ishte disa vite më parë Liga Ballkanike, dritarja e parë për skuadrat kosovare në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, me kalimin e viteve filloi të zbehej. Prishtina hoqi dorë për shkak të cilësisë së dobët, derisa për shkak të problemeve financiare u larguan edhe Peja e Trepça. E vetmja skuadër kosovare që mbijetoi ishte Bashkimi, që arriti deri në finale. Bardhekaltrit u rikthyen këtë vit, kurse më parë e kishin fituar këtë garë, që mbeti suksesi i vetëm për skuadrat kosovare të basketbollit në arenën ndërkombëtare.

Ligë koti
Ky edicion po karakterizohet edhe më i dobët, ku kanë mbetur vetëm gjashtë skuadra, Z Mobile Prishtina, Bashkimi, Teuta, Beroe, Kozuv dhe Akademik Bultex. Bashkimi pësoi në xhiron e parë 107:77 nga Beroe në shtëpi, kurse Teuta e Durrësit debutoi me fitore 89:86 ndaj Akademik Bultex, derisa Prishtina në nëntor do të ketë ndeshjen e parë. Pikërisht në xhiron e radhës do të ndeshen Teuta dhe Bashkimi. Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi, ka thënë se kjo është një Ligë koti. "Unë e kam cekur edhe më herët që Liga Ballkanike është kot. Aty duhet të promovohen lojtarët e rinj. Sepse kjo ligë është komerciale, sa i përket bindjes time. E tash kur kanë mbetur vetëm gjashtë skuadra, kjo tregon edhe për rivalitetin dhe seriozitetin e saj. Prandaj për klubet dhe buxhetin e Kosovës është e panevojshme pjesëmarrja në Ligën Ballkanike", është shprehur Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Nga gjashtë skuadra, katër depërtojnë më tutje, derisa një nga skuadrat më të forta në këtë ligë konsiderohet Prishtina, që ka bërë shumë përforcime për garat ndërkombëtare, ku po merr pjesë edhe në FIBA Europe Cup, derisa u eliminua nga Liga e Kampionëve në basketboll. 

Shpenzuam shumë, fituam pak
Edhe trajneri i njohur i basketbollit, Blerim Krasniqi, ka theksuar se kjo ligë është komerciale, andaj duhet luajtur vetëm me lojtarë vendorë. "Edhe kur është themeluar Liga Ballkanike e kam vërejtur se është ligë komerciale dhe doli të jetë kështu. Edhe më parë kam propozuar që skuadrat nga Kosova të marrin pjesë me lojtarët e rinj dhe të mos i kushtojnë shumë rëndësi rezultateve. Lojtarët e rinj kanë nevojë për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe kjo u ndihmon shumë atyre. Është shumë e rëndësishme paraqitja e tyre në garat ndërkombëtare. Ne shpenzuam shumë në këtë ligë dhe nuk fituam asgjë. Shumë shtete e kanë braktisur këtë ligë, për shkak se nuk është më atraktive si më parë, dhe nuk ka përfitime. Nëse marrim pjesë me lojtarë vendorë, atëherë mund të përfitojmë, në të kundërtën vetëm do të bëjmë shpenzime dhe nuk do të fitojmë asgjë", ka deklaruar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Kjo ligë është formuar në vitin 2008, derisa kampioni i parë ishte Rilski i Bullgarisë. Prishtina e ka fituar ligën në edicionet 2014-15 dhe 2015-16, kurse nënkampion një herë ishte Bashkimi, që në finalen e mposhtë nga Levski. Skuadra bullgare ka fituar tri herë këtë garë, më së shumti deri më tani. 

(Kosova Sot)