Sfidat e mëdha të Kosovës

  • 20 October 2018 - 08:55
Sfidat e mëdha të Kosovës

HENDBOLLISTËT DO TË KENË DY NDESHJE SHUMË TË VËSHTIRA, ME POLONINË DHE GJERMANINË 

Katër mungesa te Kosova në hendboll 

Kosova do të ketë dy kundërshtarë shumë të fuqishëm përballë saj në hendboll. Polonia dhe Gjermania janë superfuqitë e Evropës në hendboll që do të ndeshen me hendbollistët e Kosovës. Trajneri Taip Ramadani shpreson në paraqitje pozitive, derisa konfirmon mungesën e katër hendbollistëve.

Kosova në hendboll te meshkujt do të përballet me kundërshtarët më të fortë deri më tani. Më 24 tetor luan si mysafir me Poloninë, kurse më 28 tetor e pret Gjermaninë në Prishtinë. Polonia e sidomos Gjermania janë superfuqi evropiane të hendbollit dhe para lojtarëve të Kosovës janë sfidat më të vështira të deritashme. Këto dy ndeshje janë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin "Euro 2020". Hendbollistët më 20 tetor udhëtojnë drejt Turqisë për dy ndeshjet përgatitore dhe më pas udhëtojnë në Poloni.

Kundërshtarët shumë të fuqishëm

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, ka folur për dy ndeshjet ndaj Polonisë dhe Gjermanisë. "Padyshim kjo do të jetë sfida më e madhe që e ka pasur Kosova. Natyrisht se kjo na motivon si ekip. Me Poloninë njihemi pas takimit në janar dhe e dimë çka na pret. Polakët kanë ekip fizik me pivotë të mirë dhe alo të shkëlqyeshme. Por, Polonia është ekip me disa dobësi që duhet t'i shfrytëzojmë. Ndërsa ardhja e Gjermanisë në Kosovë është ngjarje historike për hendbollin e Kosovës. Karshi do ta kemi një ekip me kualitet të rrallë që gati në çdo pikëpamje është superior ndaj nesh. Por dashamirët e sportit të Kosovës do t'i pret një shpirt luftarak me motivim të lartë, që t'i tregojmë aftësitë tona", ka thënë Taip Ramadani në prag të nisjes së punës për ndeshjet e rëndësishme të këtij muaji. "Fatmirësisht kemi siguruar edhe dy ndeshje miqësore që do të na shërbejnë shumë. Do të jetë rasti t'i provojmë disa elemente taktikore. Takimet e këtij muaji nuk janë aspak të lehta. Poloninë e njohim më mirë, derisa Gjermaninë e presim në shtëpi. Me përkrahjen e shikuesve besoj në paraqitje të mirë. Jemi në shtëpinë tonë, pranë familjarëve dhe tifozëve tonë, andaj duhet një paraqitje e mirë", është shprehur Taip Ramadani për gazetën "Kosova Sot".

Mungesat

Ramadani ka folur edhe për mungesat. "Na mungojnë dy qendrat, kapiteni Valon Dedaj që ka pësuar një lëndim në gju dhe ende është në rehabilitim, dhe po ashtu Vlerson Zherka. Po ashtu është detyruar të tërhiqet udhëheqësi i mbrojtjes sonë, Bujar Ramosaj, pas një lëndimi të lehtë që pësoi në lojë kundër Zhegrës. Na mungon edhe portieri Flamur Gërbeshi që nuk ka pasur mundësi të bashkëngjitet. Pra katër lojtarë kryesorë. Nga ana tjetër është një rast i shkëlqyeshëm për disa djem të dëshmojnë aftësitë e tyre. Për herë të parë e kemi ftuar edhe Fidan Cimilin në rolin e qendrës. Cimili ka patur një start të mrekullueshëm këtë sezon me Dritën dhe shpresoj se mund të sjellë atë formë edhe te Kosova", ka thënë Ramadani.

Femrat zhvillojnë dy ndeshje miqësore

Ndërkohë, Kosova te femrat do të zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme miqësore në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e kampionatit botëror. Hendbollistet e Kosovës do të kenë një grumbullim disaditorë në Luksemburg ku do të luajnë edhe dy ndeshje miqësore kundër Luksemburgut. Ndeshja e parë luhet më 26 tetor nga ora 19:30, kurse e dyta më 27 tetor nga ora 18:00. Përzgjedhësi Agron Shabani për këto dy ndeshje ka ftuar 17 hendbolliste që pritet të bartin barrën kryesore edhe në ndeshjet kualifikuese të muajit të ardhshëm. Nëntë prej lojtareve të ftuara nga Shabani janë të klubeve të vendit, ndërsa tetë të klubeve evropiane. Janë disa lojtare që ftohen për herë të parë, ndërsa Kosovën do ta udhëheq kapitenia Leonora Demaj. Në miqësore do të paraqitet edhe Albana Arifi, që ende është në pritje që të fitojë të drejtën të luajë ndeshje zyrtare me Kosovën, pas ndërrimit të ekipit kombëtar. Kosova është në grupin e parë të fazës së parë të kualifikimeve evropiane. Më 30 nëntor takohet me Izraelin, më 1 dhjetor me Ukrainën dhe më 2 dhjetor me Sllovakinë. Ndeshjet do të luhen në Sala të Sllovakisë.

 

(Kosova Sot)