“Federata nuk duhet ta dënojë Mourinhon”

  • 22 October 2018 - 13:21
“Federata nuk duhet ta dënojë Mourinhon”

Ish-gjyqtari i Premierligës, Mark Clattenburg, e ka komentuar kërkesën e disa analistëve të futbollit që trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, të ndëshkohet nga Federata e Futbollit të Anglisë, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte e paarsyeshme.

Në kolumnën e tij në DailyMail, Clattenburg e lavdëron gjyqtarin e ndeshjes mes Manchester Unitedit dhe Chelseat, Mike Dean, duke thënë se Dean e kishte përdorur përvojën e tij për ta qetësuar situatën, pas përleshjes mes Mourinhos dhe anëtarit të stafit teknik të Chelseat, Marco Ianni.

Goli i Ross Barkleyt në minutën e 96-të arriti ta barazojë rezultatin në Stamford Bridge duke bërë që pikët të ndahen mes dy klubeve angleze. Chelsea kishte qenë fillimisht në epërsi, mirëpo dy golat e Anthony Martial kishin arritur ta kthenin rezultat në favor të Manchester Unitedit.

Anëtari i stafit të Maurizio Sarrit, Ianni, e festoi këtë gol para Mourinhos, duke shkaktuar kështu një reagim nga portugezi, i cili i ngrit në këmbë dhe e ndoqi Iannin drejt tunelit, duke kërkuar për një përleshje.

Në pamjet fillestare dukej se Ianni kishte festuar vetëm një herë para trajnerit portugez, megjithatë pamjet e reja tregojnë se ai e kishte bërë një gjë të tillë edhe gjatë kthimit të tij drejt bankës së Chelseat.

Por, sipas Clattenburg, për shkak të pasionit që trajnerët, stafi teknik dhe lojtarët përjetojnë gjatë një ndeshjeje kaq të rëndësishme, ai mendon se Federata e Futbollit të Anglisë nuk duhet të hapë procedurë disiplinore ndaj Mourinhos.

“Unë e kuptoj reagimin e Mourinhos ndaj festimit të anëtarit të stafit teknik të Chelseat, Marco Ianni. Dean nuk u trondit dhe ai lejoi që situata të qetësohet. Ishte një referim i mirë nga ana  e tij dhe Mourinho nuk duhet të përballet me procedura disiplinore për këtë incident”. 

 

(Kosova Sot)